Kuvendi nuk do ta shqyrtojë shkurtimin e mandatit të EULEX-it

Kuvendi i Kosovës nuk do ta shqyrtojë shkurtimin e mandatit të EULEX-it ashtu siç kanë kërkuar Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. Deputetët kanë dhënë nënshkrimet e tyre për mbajtjen e një seance për të formuar një Gjykatë për krime lufte pas mandatit të EULEX-it, por jo edhe për ndërprerjen e mandatit të këtij misioni, transmeton KTV.
Deputeti nga radhët e PDK-së, Kurtan Kajtazi, thotë se është Kuvendi i Kosovës që i ka dhënë mandatin këtij misioni dhe nuk mund të diskutohet diçka e tillë. Por, sipas tij, ajo që mund të bëjnë është vetëm të debatojnë dhe të dalin me rekomandime për të formuar një Gjykatë, e cila do të gjykonte krimet e luftës.
Kajtazi thotë se qysh tani duhet të nisin përgatitjet e legjislacionit, në mënyrë që me përfundimin e mandatit të EULEX-it të jetë gjithçka gati. E OVL e UÇK-së, thonë se masat e tyre do të jenë ndryshe tashti.“Ne po presim ndihmën e deputetëve, megjithatë nëse kërkesa jonë ka ndryshuar, edhe reagimi ynë do të jetë reciprok, ngase janë deputetët ata të cilët kanë nevojë për ne pastaj”, ka thënë Xhavit Jashari.
Sipas tyre, protestat e ish-ushtarëve dhe veteranëve të luftës nuk do të ndalen deri në lirimin e të akuzuarve për krime lufte. Për mundësinë e mbajtjes së një seance në Kuvend për shqyrtimin e mandatit të EULEX-it ka reaguar edhe misioni evropian./Indeksonline/