VV: Ne do të ofrojmë jetë normale për qytetarët

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, paraqiti sonte para qytetarëve të Matit 1, “Modelin e Lagjes” që sipas kësaj lëvizje është ideale për këtë pjesë të qytetit.
Shpend Ahmeti kandidati i VV-së për Prishtinë para të pranishmëve paraqiti Modelin e Lagjes, për të cilin tha se është një model që ofron një jetë normale për qytetarët, kundrejt jetës së papërballueshme nga problemet e shumta që po e zhvillojmë që 14 vjet. Sipas këtij modeli lagjja do të ketë: Furnizim të rregullt me ujë, shërbime mjekësore në afërsi, çerdhe e institucione parashkollore me çmim të përballueshëm, shkollim cilësor në afërsi, hapësira relaksuese e sportive, rrugë të ndriçuara dhe të sigurta, parking për banorët e lagjes etj.
Ndërsa në bashkëbisedim e sipër Shpendi përfundoi se: “Ky terrorizëm urban që ka përfshirë lagjet e Prishtinës, me tërë këto ndërtime pa planifikim që po e pamundësojnë zhvillimin e një jete normale, është i papranueshëm dhe mund të ndalet vetëm nëpërmjet organizimit të qytetarëve. Ashtu siç është organizuar suksesshëm pika e VETËVENDOSJE!-s në Matin 1 para një viti për të bërë presion tek pushteti komunal për të hapur Qendrën e Mjekësisë Familjare, duhet të vazhdojmë të organizohemi në mënyrë që së bashku ta ndryshojmë lagjen. Dhe, kjo arrihet vetëm duke u takuar më shpesh, për të mundësuar vazhdimësinë e organizimit tonë shoqëror. Për këtë arsye duhet ta funksionalizojmë Bashkësinë Lokale në Matin 1, e cila do të jetë vendi ku duhet të takohemi së paku një herë në tre muaj për të bashkëbiseduar e bashkëvepruar në realizimin e të drejtave dhe nevojave tona si qytetarë të Prishtinës”. /Indeksonline/