VV: Qeveria, burim i korrupsionit

“Pikërisht në këtë ditë, ne marrim lajmin për skandalin e radhës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Një aferë tjetër korruptive ku raportohet të jenë përvetësuar rreth dyqind mijë euro nga tenderi për prodhimin e targave të automjeteve në Kosovë. Ndërkohë, drejtuesi i po kësaj Ministrie, Bajram Rexhepi, deklaron se s’do të japë dorëheqje meqë po lufton seriozisht korrupsionin. Kësaj afere i parapriu skandali i pasaportave dhe 1.4 milion eurove rreth dy javë më herët, të cilit po ashtu i kishin paraprirë vjedhja në dhomën e dëshmive dhe fshehja e provave”, thuhet në kumtesë.
Sipas VV-së, “nuk mund të presim nga kjo Ministri, e as nga kjo Qeveri, të ketë përfunduar ndonjë tender pa përvetësim parash”.
“Njëjtë dhe me rastin e kontratës së Bechtel-Enka dhe faktin që qytetarët e këtij vendi nuk morën asnjëherë përgjigje pse po paguajnë shumë herë më shtrenjtë për këtë rrugë. Po ashtu dhe me Kontratën për privatizimin e KEDS nga Limak-Çalik dhe mbledhjen e borxhit të qytetarëve. E paraprirë nga çështja e privatizimit të Hotel Grandit, ajo e Ferronikelit dhe e pjesës më të madhe të proceseve të privatizimit në Kosovë. Këto skandale e afera na e bëjnë të qartë se këto institucione të drejtuara nga këta njerëz nuk e luftojnë korrupsionin sepse korrupsioni buron nga ata vet”, thuhet ne kumtese.
Në kumtesë theksohet se drejtuesit e institucioneve tona janë të përfshirë në afera korruptive, prej të cilave vetëm disa kanë përfunduar si skandale para syve të publikut, derisa shumë të tjera mbeten të pazbuluara.
“Për më tepër audio-inçizimet e shfaqura javën e kaluar, na vulosin faktin se si pushtetarët e drejtojnë shtetin tonë. Nepotizimi, mënyra se si merren vendime për çështje shumë të rëndësishme, na çojnë në konstatimin se qeverisja e Hashim Thaçit çdo ditë e prodhon nga një aferë korruptive. Si të tillë, nuk mund të presim që të njëjtët ta luftojnë korrupsionin e ta çojnë vetveten para drejtësisë. Lufta kundër korrupsionit është luftë që bëhet nga ata që nuk janë të korruptuar e që luftojnë kundër tij. Hapi i parë i domosdoshëm është kërkesa e pakusht që kjo Qeveri të dorëhiqe”, thuhet në fund të kumtesës.