VV: Shpresa e Ferizajt e ka emrin Faton Topalli

Në hapje të fushatës nga një fjalë rasti kanë mbajtur disa qytetarë, luftëtarë të ish-UÇK-së dhe studentë, të cilët kanë folur për vështirësitë që i kanë për mbijetesë.
Pas tyre ka marrë fjalën, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili tha se Lëvizja Vetëvendosje do që t’ia shtojë pavarësisë sovranitetin, ekonomisë prodhimin, shkollave arsimin, spitaleve shëndetësinë, sepse siç ka thënë ai, duhet që bujkut t’ia kthej arën, që punëtorit t’ia kthej fabrikën, që ushtarit t’ia kthej pushkën.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje do që shteti i Kosovës të jetë shtet i së drejtës dhe shtet i zhvillimit, shtet që i mbron kufijtë dhe shtet që ka të drejtë t’i bashkohet Shqipërisë.
Për më tepër, ai ka shtuar se ata që kanë qeverisur e kanë trashur pushtetin, duke e zvogëluar shtetin, e për të dalë nga kjo situatë dhe keqqeverisje, ai ka thënë se zgjidhja është Faton Topalli.
“Çdoherë kur kanë qeverisur ato e kanë trashur pushtetin dhe e kanë zvogëluar shtetin, e kanë gjymtuar shtetin si territor, e kanë gjymtuar shtetin si buxhet dhe e kanë gjymtuar shtetin si pasuri publike e kombëtare. Subjektet e tjera kryesore janë përvoja e hidhur e këtij populli. Lëvizja Vetëvendosje është shpresa e re e këtij vendi. E në Ferizaj kjo shpresë e re e ka emrin Faton Topalli”, ka theksuar Kurti.
Gjithashtu, ai ka folur edhe për Faton Topalli si njeri i shkolluar dhe i cili është ligjërues në Universitetin e Cyrihut.
Madje, ai ka thënë se ashtu sikurse Vetëvendosje ishte opozitë ndryshe, ashtu do të jetë pozitë ndryshe.
Kurti rrëfeu edhe një bisedë interesante që kishte pasur sot me një plak në Ferizaj.
“Kur mbërriva sot në Ferizaj më ndali një plak në rrugë të cilit i kishin mbet veç dy cigare prej dy ma dha njërën. I thash mixhë nuk e pi cigaren më tha në Ferizaj nuk bën pa e kall”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, kandidati Faton Topalli ka thënë se komuna e Ferizajt ka mbetur e varfër, pasi që siç ka thënë ai këtë komunë e ka rrënuar hajnia dhe korrupsioni.
“Ferizaj i ka të gjitha mundësitë që të jetë një komunë ku lulëzon mirëqenia, ndërkohë e kundërta po ndodh dhe kjo për shkak të pushtetit të mbrapsht të të gjitha partive që kanë qeverisur dhe që vazhdojnë të qeverisin komunën tonë. Ata nuk kanë punuar kurrë që Ferizajt t’i japin atë që i takon, rëndësinë dhe mirëqenien. Ne kemi mbetur një komunë e varfër, me mijëra njerëz të papunë, një komunë e rrënuar nga hajnia dhe korrupsioni”, ka deklaruar Topalli.
VV ka ftuar elektoratin që të votojnë kandidatin Faton Topalli dhe numrin 23 për një jetë më të mirë për qytetarët e Ferizajt. /kosovapress/