E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri sekretet e Juventusit

Qendërmbrojtësi i Juventusit, Andrea Barzagli ka treguar tri arsyet që qëndrojnë prapa rrugëtimit të skuadrës drejt titullit të kampionit në Serie A. Bianconerët e filluan sezonin si autsajderë për titull pas dy pozitave të shtata në dy edicionet e fundit.

Por, pesë xhiro para fundit, Juventus – i pamposhtur – gjendet në krye të tabelës me tri pikë epërsi ndaj Milanit. Ata po ashtu janë kualifikuar në finale të Coppa Italia, ku do të ndeshen me Napolin.

“Janë tri arsye prapa sezonit tonë”, tha Barzagli, përforcim i ardhur nga Wolfsburg në janar të vitit 2011.

“E para është stadiumi ynë i ri që na mundëson të kuptojmë rëndësinë e historisë dhe ngjyrave të klubit. E dyta, Andrea Pirlo, i cili është një kampion i aftë të japë gjëra të veçanta. Dhe në fund, Antonio Conte, trajneri ynë që na ka transmetuar karakterin e tij, idetë dhe mënyrën e lojës. Tani ai ka kërkuar nga ne të ruajmë përqendrimin në ndeshjet e mbetura, por nuk është e nevojshme. Kemi përvojë të mjaftueshme dhe e dimë se çka duhet të bëjmë”, përfundoi Barzagli.

Juventus hyri në shtëpinë e tij të re gjatë verës, pas rrëzimit të stadiumit të vjetër Delle Alpi dhe ndërtimit të një impianti modern. Pirlo erdhi si futbollist i lirë nga Milan gjatë verës, ndërsa Conte mori drejtimin e skuadrës pasi siguroi promovimin në Serie A me Sienën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›