E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Shteti po udhëhiqet nga mafiozët

Shteti po udhëhiqet nga mafiozët me kryemafiozin Hashim Thaçi, vlerëson Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se këta nuk janë as qytetarë e as qeveritarë, por janë thjeshtë mafioz.

Sipas përfaqësuesve të saj tani qytetarët e Kosovës e kanë mundësin që ta shohin fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie. Kështu është thënë nga nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti dhe sekretari i saj, Dardan Molliqaj, gjatë një konference për media ku kanë folur për përgjimet telefonike të disa anëtarëve të Qeverisë (PDK-së), të cilat janë publikuar së fundmi.

Përfaqësues të Vetëvendosjes, përveç që ka paralajmëruar interpelancë në Kuvend, kanë thënë që nuk përjashtohen as protestat në këtë rast.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti ka pohuar se nepotizmi dhe korrupsioni janë fytyra të kësaj Qeverie.

“Ju kemi thënë disa herë dhe po e ri përsërisim që SHIK-u vepron dhe SHIK-u nuk është shuar, këtë e dëshmon më së miri fakti që Adem Grabovci i raporton Kadri Veselit për vizitën në Bruksel. I kallëzon çfarë takime kanë pas, me kënd janë taku, çka ka thanë Lunaçek, Doris Pak, domethënë që një anëtari që na qenka prurje e re në PDK-në po i raporton shefi i grupit parlamentar për vizitën në Bruksel. Kjo tregon më së miri se kush janë shefat dhe kush janë bosat këtu dhe kush kujt i raporton, për atë se çka po ndodh në Kosovë”, ka thënë ai.

Ahmeti pohon se këta nuk janë deputet ngaqë sipas përgjimeve të fundit po presin interpretime nga dikush prej lartë.

Madje, Ahmeti ka shtuar se më nuk e pranon si kryeministër të tij Thaçin, kjo sipas tij, meqë në përgjime në fjalë, ai i ka quajtur zagar një pjesë të popullit.

Ndërsa sekretari i kësaj partie, Dardan Molliqaj ka thënë se nuk po kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë, por të mafisë dhe kryemafiozit Hashim Thaçi, siç i ka quajtur ata.

Ai ka bërë thirrje tek të gjithë, që në mënyrë të menjëhershme dhe të fuqishme, të distancohen nga një Qeveria e cila e ka kap shtetin, ngase, sipas tij, janë mafioz.

Ndërsa Shpend Ahmeti ka ripërsëritur se prokuroria duhet vepruar në këtë rast.

“Sot kjo më nuk është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes Vetëvendosje, është përgjegjësi e të gjithë qytetarëve të Kosovës që të reagojnë. Sot po flas këtu në emër të Vetëvendosjes por mllefin e kam së pari si qytetar i Kosovës dhe mendojë se të gjithë ne së bashku duhet të reagojmë. Qytetarët mendojë që këtu janë prekur më së shumti”, ka thënë ai duke shtuar se falë këtyre përgjimeve të publikuara populli tani e ka mundësinë t’ia shoh fytyrën e vërtetë kësaj Qeverie. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›