VV: Takim miqësor i delegacionit të VV-së me kongresmenin Engel

Kongresmeni Elliot Engel ka pritur në zyrën e tij në Washington, delegacionin e Lëvizjes Vetëvendosje! që po qëndrojnë në Amerikë. Sipas njoftimit të VV-së, gjatë takimit është diskutuar për situatën politike dhe ekonomike të Kosovës.
“Gjatë vizitës së tyre në ShBA dhe qëndrimit të tyre në Washington D.C., delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje!, i përbërë nga kryetari Albin Kurti, nënkryetari Shpend Ahmeti dhe Florin Krasniqi, deputet, zhvilloi një takim me kongresmenin z.Elliot Engel në zyrën e tij e ku mori pjesë edhe shefi i stafit të tij z.Jason Steinbaum. Kongresmeni Engel është një mbështetës i hershëm dhe i vazhdueshëm i Kosovës dhe i shqiptarëve në përgjithësi. Që prej 25 vitesh kur u bë kongresmen për herë të parë, z.Engel, përherë ka përkrahur dhe ndihmuar shqiptarët duke mbajtur lidhje të ngushta me mërgatën tonë në ShBA”, thuhet në njoftimin e VV-së.
VV e kanë quajtur këtë miqësor e të përzemërt. “Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje! shpalosën qëndrimet e tyre për situatën në Kosovë e rreth saj, idetë për daljen nga kriza politike e socio-ekonomike dhe programin tonë politik e aspekte të alternativës sonë qeverisëse. Në fund, u dakorduan për kontakte e komunikim të vazhdueshëm në të ardhmen”, thuhet më tej në njoftimin e VV-së./Indeksonline./