E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV: UNMIKU ka investuar në ndarjen e Kosovës

Në selinë e UNMIKU-t, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë shkruar parullën UN FAIR! (i padrejtë) Gjatë këtij aksioni ka intervenuar policia e Kosovës, e cila ka përdorur sprej ndaj aktivistë. Duke mos dashur të komentojnë dhunë e ushtruar nga ana e policëve, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje theksuan se me UN FAIR, kanë dashur të tregojnë për padrejtësitë që po i bëhen qytetarëve dhe shtetit të Kosovës nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Njëri nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nol Nushi, ka thënë se Vetëvendosje e kundërshton ardhjen e Ban Ki Moonit në Kosovë, për shkak se të gjashtë pikat e tij e kthejnë Kosovën prapa. Sipas tij, me aksionin e sotëm Vetëvendosje ka dashtë të tregoj se OKB-ja edhe pse është një organizatë e themeluar mbi parimet e barazisë së kombeve, me Kosovën nuk po tregon e drejtë.

“OKB-ja nuk ka qenë e drejtë ndaj Kosovës asnjëherë, për këtë arsyeje ne në murin e UNMIK-ut e shkruajmë UNFAIR për t’i treguar edhe kryetarit të OKB-së se nuk mund të pranojmë trajtimin diskriminues që kjo organizatë e cila madje është e themeluar mbi parimin e barazisë së Kombeve por neve nuk po na trajton si të tillë. Po na trajton si të pabarabartë”, ka thënë aktivisti Nushi.

Vetëvendosje, konsideron se OKB-në Kosova po e njeh përmes UNMIK-ut, ndërsa UNMIKU, në popullin e Kosovës ka bërë shumë padrejtësi dhe krime, duke aluduar edhe në vrasjen e dy protestuesve të Vetëvendosjes në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007. Sipas Vetëvendosjes, edhe për kundër këtyre vepra kriminale që ka bërë UNMIKU në Kosovë, ai nuk ndiqet ligjërisht sepse nuk i njeh ligjet e shtetit të Kosovës.

“UNMIKU nuk dëshiron të na njohë, por dëshiron vetëm të na qeverisë. UNMIKU nuk e njeh Republikën e Kosovës, ai njeh veç Beogradin. UNMIKU ka investuar në ndarjen e Kosovës, UNMIKU nuk e ka ndihmuar zhvillimin ekonomik në Kosovë. Ai pranohet vetëm prej strukturave paralele të Serbisë dhe Qeverisë Thaçi. UNMIKU ka filluar procesin kriminal të privatizimit, i cili tashmë na ka lënë pa pasuri publike, UNMIKU i kanë rrogat 5 deri në 20 mijë euro, ndërsa pensionet në Kosovë janë 45 deri në 80 euro”, ka thënë ai.

Sipas tij, 6 pikat famëkeqe të Moonit Kosovën e kthejnë prapa. Ndërkaq, sa i përket dhunës së përdoruar nga ana e policisë ndaj aktivistëve, Nushi mendon se ajo ka qenë e shfrenuar dhe forma e vetme e komunikimit të cilën policia e përdorë çdo herë, ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes. Megjithatë, edhe pas ndërhyrjes së policisë, aktivistët e kësaj lëvizjeje kanë arritur qëllimin duke shënuar mbishkrimin UN FAIR tek selia e UNMIKU-t. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›