Policia e Kosovës mohon përdorimin e dhunës ndaj VV'së

Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani tha se për shkaqe sigurie policia ka intervenuar dhe të njëjtit i ka larguar nga ai lokacion. Kelani thonë se ndaj protestuesve nuk është përdorur dhunë, ashtu siç ka pretenduar Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk raportohet që ka ndodhur ndonjë arrestim. Është përdorur një metodë policore që turma e atyre personave të largohet për shkaqe të sigurisë së pritjes dhe vizitës se Ban Ki-moonit. Nuk është përdorur dhunë, është përdorur një forcë e nevojshme e zyrtarëve policorë, në mënyrë që ata persona të largohen...pra, është përdorur sprej policor”, tha Kelani.
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë ndërmarrë sot këtë aksion, duke shkruar parullën UN - FAIR (pandershmëri) në hyrje të ndërtesës së UNMIK-ut.
Aksioni i sotëm është ndërmarrë në ditën kur Kosovën po e viziton sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.