E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV edhe në Paris kundërshton bisedimet

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti dhe nënkryetari i saj, Shpend Ahmeti, të cilët po qëndrojnë në Paris theksuan që bisedimet me Serbinë pa kushte për të dhe për çështje të brendshme të Kosovës, janë të padrejta e të dëmshme për Kosovën.

Për më tepër, sipas Vetëvendosjes, ky dialog po ngjan në kurriz të demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe luftimit të korrupsionit në Kosovë dhe njëkohësisht po bën që zyrtarët ndërkombëtarë ta shohin e mendojnë Kosovën veçse në kuadrin e këtij dialogu.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës u interesuan edhe për idetë dhe programin e VETËVENDOSJE!-s për zhvillimin ekonomik të Kosovës si dhe atë për integrimin e veriut, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Më pastaj, Albin Kurti mbajti një ligjëratë në institutin IRIS, me temën "Kosova: pavarësi pa sovranitet dhe stabilitet politik pa zhvillim ekonomik".

Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti u takuan edhe me deputetin Pierre-Yves Le Borgn' si dhe me disa zyrtarë të lartë për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Partinë Socialiste të Francës që aktualisht është në pushtet./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›