E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Me 10 dhjetor, iluzionistët do të binden

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se me 10 dhjetor, iluzionistët do të binden që Kosova nuk do të ndahet dhe nuk do të ketë organizim tjetër në veri të vendit. Pas mbledhjes së Qeverisë, ai tha se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme teknike për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit me Serbinë.

Çështja që ka të bëjë me menaxhimin e integruar të kufirit është pika fillestare e vënies së asaj që quhet kufiri mes të dy shteteve, por mbi të gjitha të perceptimit që atje ka kufi, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në konferencën për media. Ai tha se me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshje, do të bëhet e qartë se Kosova nuk ndahet dhe veriu nuk ka status të veçantë.

“Besojmë shumë që me datën 10 dhjetor në mëngjes secili do të bindet, sidomos iluzionistët që Kosova do të ndahet apo do të ketë organizim tjetër, që kjo nuk ndodhë dhe kjo po pranohet nga të dy shtetet dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Do të ketë të pakënaqur, sidomos ata që janë marrë me kontrabandë dhe me krim të organizuar, por besoj se Serbia do të jetë serioze në mosfinancimin dhe fuqizimin e tyre”, tha Kuçi.

Kuçi tha se përfaqësuesit e Kosovës, EULEX-it dhe Serbisë kanë takime të përditshme në mënyrë që të bëhen përgatitjet teknike që procesi i zbatimit të IBM-së të fillojë më 10 dhjetor. Ai tha se ka pajtueshmëri për këtë, por nuk ka të nënshkruar në formë marrëveshje. Kuçi tha se ky nuk është traktat paqeje, raporton RTK.

“Nuk është një traktat mes dy shteteve. Ai traktati i paqes që e kam përmendur në fillim, u është dukur shaka, do të vijë më vonë. Tash e keni parë që shumica po e mbështesin, veç që po iu vjen keq të thonë që Hajredini ka thënë i pari”, tha Kuçi.

Ndryshe, Qeveria në mbledhjen e sotme shqyrtoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për festat zyrtare, i cili u shty për mbledhjen e ardhshme, për shkak të nevojës për më shumë debat rreth tij. Sidoqoftë, me këtë projektligj, përcaktohet që 9 Maji, Dita e Evropës, të hiqet nga lista e festave zyrtare, ndërsa në rastet kur festa bie në fundjavë, dita e pushimit mos të bartet tek ditët e punës.

Përveç tjerash, Qeveria i dha mbështetje edhe Projektligjit për dërgimin e FSK-së jashtë vendit./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›