E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV, ndez në flakë 'Marrëveshjen me Serbinë'-FOTO

PRISHTINE-Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë mbledhur në orët e vona të natës duke organizuar një aksion simbolik me të cilin shprehin mospajtimin e tyre për ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë.

Aktivistët kishin varur disa shkronja në të cilat shkruante “Marrëveshje me Serbinë” që i lyen me lëngë djegëse dhe ua vënë flakën.
“Kemi organizuar një aksion simbolik për të kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes së arritur. Marrëveshja legalizon strukturat ilegale të Beogradit ju ofron amnisti dhe dorasit që organizuan krime dhe spastrimin e etnik të Kosovës. Tashmë do të ecin të lirë dhe kjo marrëveshje shkel sovranitetin e Kosovës”, ka thënë aktivisti i VV-së Berat Lahu.

Sipas Lahut, asnjë shqiptar nuk mund të jetë mësues në veri dhe se kjo është shkelje kushtetuese.

“E kemi organizuar këtë aksion për t’i bërë thirrje njerëzve që të dalin në këtë protestë që legalizon kriminelët në Veri. Qeveritarët e shitur po i tremben edhe më shumë këtyre protestave dhe ne në mënyrë simbolike sot jemi mbledhur për të bërë thirrje që të dalim edhe më shumë në protestat e 20 qershorit për të kundërshtuar këtë marrëveshje”, tha Lahu.

Në fund, protestuesit janë shpërndarë të qetë dhe protesta ka përfunduar pa incidente.

Ratifikimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë pritet të dalë për shqyrtim në seancën e të enjtes në Kuvendin e Kosovës.

Idetë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për ditën e mërkurë u kerkuan nga Partia Demokratike e Kosovës, nuk kanë gjetur mbështetjen dhe konsensusin politik të forcave tjera parlamentare.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›