E Diel, 1 Nëntor 2026

VV në Mitrovicë: Në veri mbretëron ligji i xhunglës

Mitrovica mbetet temë e dhimbshme për Kosovën, ndërsa në veri të saj mbretëron vetëm ligji i xhunglës. Kështu u tha të martën në Mitrovicë, në debatin me temën “Situata në veri dhe alternativat që ofron VV” të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
 

Shpend Ahmeti, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për negociatat dhe veriun, si dhe rolin që duhet të marrin akterët politikë e shoqëror, potencoi se Mitrovica është temë e dhimbshme për Kosovën. Sipas tij, duhet bashkëpunim më i fuqishëm i organizatave të ndryshme për zgjidhjen e kësaj çështje.
 

“Vetëvendosja si Lëvizje nuk është anti serbe dhe kundër popullit serb, por beson në barazinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se duhet të ketë një koalicion më të fortë për bisedime sesa PDK-AKR.
 

Ai theksoi se negociatat e reja të planifikuara do të jenë politike, të cilat do ta shndërrojnë Kosovën në një shtet jofunksional. “Për ne është me rëndësi integrimi social, krijimi i vendeve të reja të punës për qytetarët pa dallim që mundëson jetë më të mirë, sepse strategjia më e mirë për Mitrovicën është zero për qind papunësi”, tha Ahmeti.
 

Aida Dërguti, nënkryetare e kësaj Lëvizje, sqaroi alternativat e Vetëvendosjes për ndryshimin e situatës në veri, duke përmendur këtu edhe 13 pikat e planit të Vetëvendosjes për zgjidhjen e çështjes së veriut. “Kosova çdoherë ka humbur duke bërë koncesione kundër vetvetes”, ka thënë mes tjerash Dërguti, ndërsa Xhelal Sveçla, sekretar për marrëdhënie me jashtë pranë Vetëvendosjes, ka theksuar mundësitë e bashkëveprimit të aktiviteteve për zgjidhjen e problemit.
 

Në anën tjetër, ish-deputeti Ramadan Kelmendi, njëherësh banor i veriut të Mitrovicës, tha se në veri mbretëron vetëm ligji i xhunglës. Ai pasqyroi problemin e jugut dhe veriut të Mitrovicës si dy realitete krejtësisht të kundërta. “Jam shtetas i Republikës së Kosovës që jetoj në veri të saj, por jo edhe i regjistruar si banor i Kosovës, sepse në veri nuk është bërë regjistrimi i popullsisë”, ka thënë Kelmendi.
 

Nysret Maxhera, theksoi humbjen e madhe ekonomike të Kosovës që po shkaktohet nga hyrja e shumave marramendëse të dinarëve nga Serbia. Ai po ashtu theksoi bashkëpunimin edhe të komunave tjera për kthimin e banorëve nëpër pronat e veta.

“Në veri të Mitrovicës jetojnë rreth 13 mijë serbë, prej të cilëve 9 mijë janë ardhacakë nga vendet e ndryshme të Kosovës. Duhet që këta ardhacakë të largohen nga veriu dhe të krijohet mundësia që ata të kthehen në vendet e tyre, ndërsa ne do të merremi vesh me mitrovicasit e veriut më lehtë, sepse dikur kemi jetuar dhe punuar bashkë”, ka thënë Maxhera.
 

Selvije Kurti, studente, shprehu mos besimin ndaj KFOR-it dhe EULEX-it dhe kërkoi nevojën që edhe ata duhet dhënë raport për punën e tyre para qytetarëve.
 

Pikëpamje të ngjashme për zgjidhjen e problemit kanë shprehur gjatë diskutimit të tyre edhe Hysen Hoti, Nexhmedin Spahiu, Hasan Rudhani etj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›