E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV nuk do të ndalet

Pas protestës së sotme kundër nënshkrimit të kontratës për shitjen e Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media. Në të folën Shpend Ahmeti dhe Visar Ymeri, ku shpjeguan qëllimin e aksionit, arrestimet e dhunshme të policisë, si dhe pengimin e paligjshëm të deputetëve për të hyrë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës. Më poshtë janë detajet lidhur me ngjarjet e sotme.

Me të marrë lajmin dje se sot do të nënshkruhet kontrata mbi privatizimin e KEDS-it, Lëvizja VETËVENDOSJE! sot ka organizuar aksionin e saj që ka konsistuar në 2 pjesë. Një, protesta e organizuar pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës nga aktivistët e Lëvizjes, dhe pjesa e dytë, që deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të merrnin pjesë në ceremoninë ku pritej të nënshkruhej kontrata, natyrisht me synimin themelor që ta shihnin kontratën duke qenë se askush se ka parë kontratën përmes të cilës po shitet një aset publik kaq i rëndësishëm.

Sot është bërë një krim i madh nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e ky hap është ecja një hap më tutje me nënshkrimin e kontratës së privatizimit të distribucionit me 26 milion euro, pa e ditur qytetarët se çka po shitet, duke mos marrë parasysh edhe mbi 60 mijë nënshkrimet e peticionit që e kanë kundërshtuar, duke e ditur se ka pas diskutime edhe në Kuvend, ku deputetët që kanë qenë kundër privatizimit me peshë të votës janë tepër më shumë sesa ata që kanë qenë pro.

Qeveria sot duke i anashkaluar të gjitha këto kërkesa ka vazhduar me këtë krim. Krim po e quaj sepse kështu e quan Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Çdo keqpërdorim i pronës apo parasë publike që është mbi 100 mijë euro, me Kodin Penal të Kosovës cilësohet si vepër penale e dënueshme me burg. Prandaj ne sot organizuam këtë protestë dhe natyrisht nuk do të ndalemi asnjëherë në kundërshtimin e kësaj. Nuk përfundojnë sot me nënshkrimin e kontratës, veç se jemi motivuar e organizuar edhe më shumë që kjo luftë e jona është e drejtë për ta shpëtuar pasurinë e Kosovës nga këta kriminel që kanë zaptuar dhe kouptuar në çfarëdo aspekti.

Sot janë arrestuar mbi 60 aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Secili prej tyre pa asnjë përjashtim është arrestuar në mënyrë të dhunshme, por në fund të fundit, le ta kenë të qartë, le të na arrestojnë edhe krejt neve sepse nuk do të ndalemi. Kjo mënyrë e kërcënimeve nga Qeveria për Lëvizjen VETËVENDOSJE! është veçse një motivim më shumë se jemi në rrugën e drejtë. Le ta kenë të qartë se ne tani jemi edhe më të motivuar që ta mbrojmë KEK-un, që ta mbrojmë pronën publike nga këta.

Ndërkohë deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot janë nisur për të hyrë në objektin e Qeverisë Republikës së Kosovës dhe për të marrë pjesë në ceremoninë që e kishte paralajmëruar Ministria e Zhvillimit Ekonomik ku do të nënshkruhej kontrata me konsorciumin Çalik-Limak për nënshkrimin e kontratës për blerjen e rrjetit të distribucionit dhe furnizimit me energji elektrike. Qëllimi ka qenë mundësia për t’u informuar për detajet e kontratës dhe letrave që janë nënshkruar sot, dokumente këto që kanë të bëjnë me shitjen e një pronë jashtëzakonisht të rëndësishme të Kosovës për çka qytetarët e Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë të informuar. Sot e kësaj dite, përfshirë edhe mediat, nuk dinë se çka kanë nënshkruar dhe çka janë marrë vesh Qeveria e Kosovës me këtë konsorcium kur e kanë nënshkruar kontratën për ta shitur. Në hyrje të ndërtesës së Qeverisë deputetët e VETËVENDOSJE!-s janë ndalur nga Policia e Kosovës, të cilët kanë qenë bashkë me truprojet e kryeministrit dhe ministrave të tjerë me veshje civile dhe nuk i lejuan hyrjen në këto objekte.

Visar Ymeri tha në konferencë se: “Ne u thamë se duam të hyjmë në sallën P-38, dhe për këtë e kemi përdorur të drejtën tonë që vjen nga ligji për deputetët, neni 11, që thotë se “kartela e identitetit e lëshuar për deputetë garanton hyrje të lirë në të gjitha organet shtetërore dhe të administratës publike. Në përputhje me rregulloret e lëshuara nga ministritë kompetente të Qeverisë, deputeti mund të jetë gjithashtu i autorizuar të hyjë në zonat e shërbimit të forcave të armatosura vendore”.

I njëjti ligj, në nenet tjera i obligon organet e rendit që ta mbrojnë deputetin sa herë që deputeti ka nevojë për një gjë të tillë. Ne edhe këtë e kemi përdorur sot.

“U kemi thënë njësitit special që të na e garantojnë hyrjen në objekt për shkak se atë na e kishin zënë disa persona që i thoshin vetes polic por që ishin me rroba civile dhe nuk mbanin kurrfarë kartele identifikimi. Pra ne ende nuk jemi të sigurt nëse ata vërtetë kanë qenë polic. Këtë e ka refuzuar edhe njësiti special siç e keni parë, sepse ata kishin ardhur aty që t’i dëbojnë deputetët nga një vend ku ne kishim të drejtë për të hyrë”, tha Ymeri.

Kjo dhunë dhe kjo fshehtësi dhe mënyra e fshehtë se si po vepron Qeveria e Kosovës, veçanërisht me këtë kontratë, e tregon sa i keq dhe sa i dëmshëm është ky proces i privatizimit të cilin po e udhëheq Qeveria. Po të kishte qenë diçka e mirë për qytetarët e Kosovës, natyrisht që kjo Qeveri do ta bënte të pamundurën për t’u krekosur se si po i bën mirë Kosovës. Ne e kemi parë që Qeveri më mendjemadhe dhe më krekosëse kurrë nuk ka pas Kosova deri sot. Meqë po e dinë se nuk është mirë, atëherë këta natyrisht se i marrin të gjitha masat dhe e përdorin edhe policinë për të ushtruar dhunë ndaj atyre personave që janë të interesuar ta kuptojnë se çka po fshihet prapa atyre dyerve dhe xhamave të ndërtesave qeveritare. Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve, ashtu siç po e bën Qeveria që veç po e shkatërron ekonominë e Kosovës dhe po e shpërdor edhe keqpërdor për përfitime personale pronësinë e Kosovës, është proces që domosdoshmërisht duhet të ndalet.

Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të ndalet me aktivitete e saj edhe në të ardhmen në mënyrë që ta ndalim këtë proces privatizimi dhe ta ndalim këtë Qeveri që po e shkatërron Kosovën. Ata sot na arrestuan mbi 60 aktivistë, nesër mund t’i arrestojnë edhe 160, por duhet të na arrestojnë të gjithëve neve, t’i arrestojnë të gjithë ata qytetarë që e kanë nënshkruar peticionin, dhe duhet të bëjnë dhunë shumë më të madhe në qytetarët e Kosovës për ta vazhduar këtë proces në qetësi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›