E Diel, 1 Nëntor 2026

VËZHGIM/ Jeshil apo i kuq?...

Drejtuesit e mjeteve rrugore provokojnë shpesh me anë të pedalit të gazit kalimtarët, ndërsa këta të fundit kalojnë në vijat e bardha. “Respekti” ndaj këtyre qytetarëve ndodh vetëm atëherë kur pranë kryqëzimeve ndodhet një punonjës i policisë rrugore. Nga ana tjetër, një mori kalimtarësh që duhet të ecin “mbi vijat e bardha”, preferojnë “t’i bien shkurt kryqëzimeve”. Rastet më të fundme flasin për një mori aksidentesh, kryesisht në rrugët interurbane kryesore, ku shkaqet janë nga më të ndryshmet, por më kryesoret janë moszbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor përmes tejkalimit të shpejtësisë së kufizuar dhe mosrespektimi i sinjalistikës rrugore. “Edukata qytetare në rrugë dhe kryqëzime ka të bëjë shumë në kaosin e trafikut. Janë jo vetëm drejtuesit e mjeteve, por edhe kalimtarët, të cilët nuk respektojnë Kodin Rrugor”, thonë burime zyrtare të Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë. Drejtoria e Policisë e Qarkut Tiranë dhe Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore duke filluar nga 31 korriku dhe në vijim kanë organizuar pika kontrolli të lëvizshme në rrugët nacionale, në kryeqytet dhe kryesisht në superstradën Tiranë-Durrës, me synim, parandalimin e aksidenteve. Vetëm në ditën e parë të këtij aksioni policor u gjobitën 420 drejtues mjetesh dhe u morën 180 masa administrative. Ndonëse problem mbeten ende kalimtarët "e pakontrollueshëm" në kryqëzime dhe kalimi i tyre vend e pa vend, nga Shërbimet e Policisë Rrugore nuk janë aplikuar ende gjobëvënie për ta. “Trafiku rrugor në Tiranë pritet të dyfishohet në vitin 2014 dhe të trefishohet në vitin 2021", thuhet në një vëzhgim/studim të shoqatës mjedisore ECAT Tirana, kryer në kryqëzimet kryesore në Tiranë dhe realizuar më 2008 në bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të Mbrojtjes së Mjedisit të Rajonit të Venetos (ARPAV) dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Pyjeve. Në faqen zyrtare të Policisë Rrugore është kërkuar një bashkëpunim më i ngushtë i qytetarëve, si dhe gjithashtu jepen këshilla dhe sanksionet për shkelësit e Kodit Rrugor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›