E Diel, 1 Nëntor 2026

Testamenti, emigrantja shqiptare jep 40 mijë USD për Bibliotekën Kombëtare



Petrika GROSI
Safete (Sofia) Juka, një emigrante shqiptare, e cila sa ishte gjallë jetoi në Nju Jork të SHBA-ve, ka lënë pas vdekjes një testament që nuk i adresohet familjes dhe as qenit apo papagallit të saj, siç kemi parë rëndom të ndodhë në SHBA...
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, dr. Aurel Plasari, tregon për gazetën “Albania” mbi një rastin e rrallë;
Gjesti i bërë nga kjo emigrante e thjeshtë, që nuk është se kishte ndonjë pasuri të madhe përveç kursimeve të jetës së saj, është vërtetet befasues. 40 000 dollarë amerikanë është shifra e depozituar në një bankë të Nju Jorkut, (tanimë e kaluar në një nga bankat shqiptare) që i ka lënë për dhurim Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, prof. dr. Safete (Sofia) Juka. Me një jetë të kaluar në mërgim, mes vështirësish jo të pakta, Safete (Sofia) Juka mbetet e njohur në kulturën shqiptare për punimet e saj historike, ndër të cilat dallon monografia “Kosova: The Albanians in Yougoslavia in light of historical documents”. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, dr. Aurel Plasari, i premton të motrës së znj. Juka, ndërmjetëse e transmetimit të këtij dhurimi testamentar, se shuma e lënë prej së ndjerës do të miradministrohet në respekt të legjislacionit shqiptar në fuqi dhe, simbas vendimin të njëzëshëm të Këshillit Shkencor të Institucionit, do të përdoret vetëm e vetëm për pasurimin e Bibliotekës Kombëtare me botime të fushave të Albanologjisë dhe Balkanologjisë. “Kam pasur fatin, para disa vitesh, ta takoj zonjën e ndjerë në zyrën time të punës, duke marrë me të unë një kafe, ndërsa ajo një gotë ujë dhe të konstatoj drejtpërsëdrejti lidhjen e saj intime me librat, dashurinë e saj për kulturën shqiptare, pasionin e spikatur për historinë, posaçërisht Albanologjinë” – shprehet dr. Plasari, duke vijuar se “I gjithë koleksioni i librave që do të blihet me fondin në fjalë, do mbajë shënimin e dallueshëm ‘Nga dhurimi i Znj. Safete Juka’. Në këtë mënyrë kam bindjen se akti i saj do të ketë edhe shpërblesën e merituar, ndërsa kujtimi i saj do të mbetet i nderuar për përdoruesit e Bibliotekës Kombëtare, ata të sotmit dhe ata që mbas nesh do të vijnë.” Me këtë rast po botojmë dhe letrën që Lume Juka i ka dërguar dr. Plasarit në muajin qershor, ku lexuesi mund të mësojë më tepër detaje mbi historinë e Safetes dhe dëshirës së saj të fundit. Me një redaktim të lehtë, letra botohet qëllimisht në dialektin përkatës të autores, për të ruajtur kështu atmosferën dhe origjinalitetin e saj.

LETRA

I ndershmi Dr. Plasari.
Uroj që të jeni mirë me shëndet, gjithashtu edhe njerëzit që ju don zemra. Do të kishe dashtë me ardhë me ju takue unë vetë. Tash përtash nuk kam mundësi. Shpresoj të vij ma vonë. Por i jam lutë zonjës Shpresa Hudhrit - mikeshë e motrës dhe e jemja - të më përfaqësojë dhe ia dijta shum për nderë që e pranoi. Prof. dr. Safete Sofia Juka - motër e jemja e dashtun e njeri me vlerë -ka depozitue në nji Bankë të New York-ut nji shumë prej $ 40.000 (dyzet mij dollarë) që t’i kalojnë Bibliotekës Kombëtare Shqiptare. Nuk ka kenë e pasun. Ia ka hjekë vetes me ia dhurue bibliotekës. Ka çue nji jetë fare të thjeshtë. Ka banue me qerá në nji apartament të vogël, pa lukse, por të mbushun me piktura të sajat dhe me libra në gjuhë të ndryshme. Ka pasë nji kulturë të gjanë por gjithashtu nji modesti të pashoqe. Respekti që kishte për dije dhe për librin ishte i pafund. Lexonte pa u ndalë, qysh se ka kenë fmi dhe i thojshim: “Ti ke le me libër në dorë” Nuk ka mendue kurrë me u ba “e njoftun”. Çdo vepër e saj ka kenë vetëm në kërkim të së bukurës, të së mirës, të së vërtetës, tue u mundue që t’i shprehi ato në mënyrë të përsosun.
Me sá dij unë, asht e vetmja zonjë shqiptare që të ketë shkrue direkt n’anglisht nji libër për Kosovën, jashtzakonisht të dokumentuem, botue në vitin 1984. Ishte tué shkrue nji tjetër edhe ma të dokumentuem kur vdekja mjerisht e rrëmbeu. Për familjen tonë, mërgimi ka kenë tepër i vështirë. Me sakrifica shum të mëdhaja motra i ka ba studimet e saja. Ndofta edhe pse ka vuejtë kaq shum i ka kuptue e ndihmue të rijtë që nuk kanë mundësi me u edukue si duhet dhe ka thanë në nji intervistë: “Unë kam shumë besim në popullin tem, e mbajë në vetvete nji shpresë të thellë se të rijtë e sotëm shqiptarë - djelm e vajza - kanë me pasë mundësira me krijue e prodhue, e kur të rriten kanë me pasë çka me diftue, për jetën e krijimtarinë e tyne, gjana ma të vlefshme se kam unë sot.” Dashtninë për atdheun e gjuhën tonë të mrekullueshme na e mbajtën prindët. Tue shkue në shkolla të hueja na vinte ma lehtë me folë me njeni tjetrin në gjuhë të huej. Por, posa kalojshim prakun e shtëpisë, na thojshin: “Këtu asht tokë shqiptare e flitet vetëm shqip.”
Kët dhuratë, motra e ka ba me gjith zemër, e sigurtë se do të përdoret për të mirën e bibliotekës. Nuk ka vue asnji kusht apo konditë… Vetëm në se, ju dhe komisioni, do t’a shifni të arsyeshme me nderue nji gjest të tillë tue mendue se mund të frymëzojë edhe njerëz të tjerë me ba të njajtën gja, e kështu do t’u ndihmonte biblioteka (sugjerim i jemi). Kam përpara nji artikull (Illyria, 18-24 mars 2006) dhe firmosë nga Ridvan Dibra, Bujar Hudhri e Dashnor Kaloci: “Bibliotekat shqiptare sambas Ismail Kadare” Kadare tërhoqi vemendjen e qeverisë shqiptare për mos kujdesin e duhur ndaj bibliotekave shqiptare. Lexuesit nuk kanë aq para sa të blejnë të gjith librat, ndaj duhen biblioteka të mira, të kompletuara, dhe me gjitha kushtet, në mënyrë që të tërhiqet sa më shumë lexuesi drejt librit. Është përgjegjësi e qeverisë shqiptare që të ua bëjnë të lehtë leximin e librit lexuesëve. Më ka marrë malli shum për Shqipni, kët vend kaq të bukur që na e ka falë Perendija. Punojshim të gjithë që të ndriçojë me Dritën e Tij! Në Tiranë kam banue prej 1995- 2005, e sërish do të vij të banoj aty. Kjo letër u ba si shum e gjatë por m’u duk sikur po bisedojshim… Deshta gjithashtu të kishit nji ide mbi perosnalitetin e motrës… A më lejoni, ju lutem të ju kallxoj edhe diçka tjetër? Ksanthipi Dilo – pedagoge fiskulture – vajza e avokatit të mirënjoftun Vasil Dilo, vinte përditë në shtëpinë tonë. Motrën e gjente gjithmonë tue lexue, ndërsa ne të tjerët luejshim nëpër kopësht. Nji ditë, i thotë Nanës: “Safeten do ta quajmë Sofia, se është shumë e mençur.” Në kujtim të sajë, Motra e mbajti kët emën. Ksanthipi ka kenë mikja ma besnike e familjes tonë.
Paçim bekimin e Perëndisë!... Veprojshim me urtësi, mirësi e vetmohim që kështu edhe shpirti i motrës të qetësohet e të gëzohet, edhe - si thotë Nana Jonë Terese- “Së bashku bajshim diçka të bukur për Zotin!”
Me nderime Lume Juka
(New York, 19 qershor 2009)

3 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›