Vacke e mbyll me Dortmundin, nuk rinovon përtej 2025

Hans-Joakim Vacke nuk do të jetë më pjesë e Borusias së Dortmundit. 64-vjeçari ka lajmëruar sot se nuk do të rinovojë kontratën me klubin ku nisi punë në 2001-in si Drejtor i Përgjithshëm.
Vendimi i Vackes ka gjetur të papërgatitur ambientin sportiv në Gjermani, i cili ka shprehur habi për vendimin e drejtuesit, i cili mund të konsiderohet si “arkitekti” i rindërtimit të klubit nga Vestfalia.
Me Vacken në krye, Borusia e Dortmundit arriti që të kapte majat e futbollit gjerman dhe atij kontinental. Në 2011 dhe 2012, BVB fitoi Bundesligën duke mposhtur Bajernin ndërsa në 2013 arriti deri në finalen e madhe të Champions-it ku u mundën nga rivalët e betuar. Në sezonet 2012, 2017 dhe 2021 Borusia e “stiluar” nga Vacke arriti që të fitonte edhe Kupën e Gjermanisë.
Për momentin nuk dihet nëse ky vendim i Vackes do të ndikojë në dy rolet e tjerë, të cilët mbulon pranë Federatës Gjermane të Futbollit. Siç dihet Vacke është zëvendës-president i Federatës Gjermane të Futbollit si dhe është anëtarë i bordit mbikqyrës në këtë organ.