Vajushi-Sukaj-Januzi, golat kuqezinj

Armando Vajushi
Shënon në Itali, në Serie C edhe Ledian Memushaj dhe çon në krye të tabelës skuadrën e Leçes.
Armando Vajushi ka shënuar në fitoren e pastër të Liteks Loveçit në kampionatin bullgar të futbollit ndaj Etar. Ndeshja, e cila u luajt në transfertë, u duk tejet e lehtë për miqtë, pasi kaluan në avantazh që në minutën e nëntë me anë të Aleksander Tsvetkov. Në përfundim të pjesës së parë, Ismail Isa dyfishoi rezultatin, ndërsa në pjesën e dytë shënuan edhe Gerasim Zakov në minutën e 56-të dhe Vajushi në të 65-tën, duke vulosur kështu rezultatin e këtij takimi. Vetë Vajushi në faqen sociale “Facebook” e ka konsideruar si golin më të bukur që ka shënuar ndonjëherë në karrierën e tij. Ky ishte goli i parë i sulmuesit shkodran për këtë sezon me skuadrën e Liteks Loveçit, e cila në gjashtë javë kampionat ndodhet në vendin e 4-t me 11 pikë. Gol me peshë ka shënuar dje edhe Ahmet Januzi në fitoren e Vorsklas, e cila vinte si mysafire e Desnas. Në ndeshjen e zhvilluar për Kupën e Ukrainës, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka shënuar golin e parë (2:1). Me këtë fitore dyshja shqiptare Januzi-Dallku kalon në 1/8-at e finales së Kupës së Ukrainës. Një gol të bukur ka shënuar dje edhe Xhevahir Sukaj në derbin më të zjarrtë të Iranit: Sepahan-Perspolis 2-0. Sukaj hyri në minutën e 70-të në lojës dhe arriti të shënojë golin e dytë, atë që vulosi edhe rezultatin e këtij takimi. Për Sepahanin luajti edhe Ervin Bulku. Ndërkohë në Serie C në Itali mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ledian Memushaj, ka shënuar golin e tretë për Leçen në fitoren në transfertë ndaj Trevizos (1-3). Me këtë fitore Leçe ngjitet në vendin e parë në tabelën e renditjes. Ndërsa në Greqi, dyshja Lila-Vila kanë luajtur si titullarë në ndeshjen e djeshme të PAS Janina ndaj Verias në transfertë, por asnjëri prej tyre nuk ka mundur të ndalë humbjen minimale të Janinës. Pasdite e keqe ka qenë dje edhe për Hykën, i cili ka luajtur si zëvendësues vetëm disa minuta (nga minuta e 73-të), në humbjen e radhës së Luzernit në fushën e Lozanës. Në Itali vazhdon të mos aktivizohet fare Bogdani, i lënë në pankinë edhe në fitoren ndaj Interit, ndërsa Ujkani ka luajtur si titullar në humbjen minimale të Palermos në fushën e Atalantës.