Horror në fushë, rrihet gjyqtari
Një histeri kolektive. Sapo gjyqtari kryesor, Gentjan Nora, ka vërshëllyer për fundin e ndeshjes Gramozi-Memaliaj, të gjithë futbollistët kolonjarë i janë vërsulur duke e goditur me shkelma dhe grushte. Mëkati i vetëm i kryesorit nga Gjirokastra ishte fakti se takimi, nga 2-0 për Gramozin, përfundoi në barazim 2-2. Dhe të mendosh që ishte vetëm java e parë e kampionatit dhe nuk bëhej fjalë për t’u ngjitur apo për të rënë nga kategoria. Dhunë e paarsyeshme. Ndërkaq, forcat e rendit janë të pafuqishme për të ndalur 11 futbollistët kolonjarë që vërsulen ndaj gjyqtarit kryesor, duke mos kursyer asgjë. Arbitri përfundon në tokë i gjakosur dhe vetëm në këtë moment ndalet dhuna e futbollistëve ndaj Norës. Në këtë moment, kryesori shoqërohet menjëherë me ambulancë për në spitalin e Ersekës, ku merr ndihmën e parë.