Milan-Inter, tjetër katastrofë në Itali
Kuqezinjtë dorëzohen edhe në “Friuli”, thellohet kriza e ekipit të Berluskonit.
Barazojnë Napoli, Sampdoria dhe Bolonja, fiton Atalanta.
Milani humbet në fushën e Udinezes, duke vulosur tashmë krizën e rezultateve. Ndërsa Inter mundet në shtëpi. Sakaq barazojnë Napoli, Sampdoria dhe Bolo-nja, fiton Atalanta. Ai start i shkëlqyer i skuadrës së Milanit, rastet e humbura dhe goli spektakolar i El Sharauit, i cili barazonte atë të Ranexhies, bëri që tifozët kuqezi të shpresonin shumë se ekipi i tyre i zemrës kishte dalë nga kriza. Por, ëndrra e tyre mori fund pas golit me penallti të Di Natales, i cili vulosi shifrat e takimit në 2-1, duke u dhënë një tjetër grusht kuqezinjve. Sikur të mos mjaftonte disavantazhi, Milani mbetet me 9 lojtarë, pas përjashtimit nga fusha me karton të kuq të Zapatës dhe Boatengut. Në minutën e 40, Ranexhia i kalon bardhezinjtë në avantazh, duke shfrytëzuar mjaft mirë një kros të Benatias, ndërsa vlen të theksohet se goli erdhi si pasojë e një daljeje të pastudiuar mirë të portierit Abiati. Me fillimin e pjesës së dytë, Alegri largon Ambrozinin, i cili i lë vendin Boatengut. Ganezi futet në fushë dhe asiston drejtpërsëdrejti në kryeveprën e El Sharauit. Italo-egjiptiani me të djathtën bën një gjuajte nga distanca, të pakapshme për portierin Brkiç. Për “Faraonin” ky është goli i tij i tretë personal ndaj friulianëve. Ndërsa në minutën e 67-të Zapata shkakton faull në zonë në dëm të Benatias, topi i kalon Di Natales, i cili shënon. Por, arbitri Çeli kishte fishkëllyer më parë 11-metërsh dhe karton të kuq për Zapatën. Nga pika e bardhë paraqitet Di Natale, i cili nuk fal. Alegri përpiqet të barazojë takimin, por është e pamundur. Nuk bën më mirë Inter. Dje ekipi që ka tronditur zikaltrit ka qenë Siena, e cila ka fituar në stadiumin “San Siro” me rezultatin 2-0, me golat e shënuar nga Vergasola dhe Valiani. Për milanezët, humbja e djeshme ka qenë e dyta në kampionat (nuk fiton edhe në Ligën e Evropës prej tri takimesh, ku ka grumbulluar dy barazime dhe një humbje), po aq ndeshje të luajtura në shtëpi. Tabuja e “San Siro”-s tani nuk është më një çështje statistikore, publiku ka shfaqur pakënaqësitë e para, ndërsa trajneri Andrea Stramaçoni nuk është më i qetë. Në ndeshjet e tjera Napoli barazon në transfertë me Katanian 0-0. Pas vetëm dy minutash lojë, Alvares gabon duke ia falur topin Kavanit, i cili i drejtohet menjëherë zonës së rreptësisë. Mbrojtësi i Katanias përpiqet t’ia marrë topin uruguaianit, por shkakton faull. Ky veprim i kushton Alvarezit largimin nga fusha me karton të kuq. Katania mbetet me dhjetë lojtarë. Skuadra e Maxarrit shtyn përpara gjatë të gjithë pjesës së parë, por Katania mbrohet mirë. Me fillimin e të dytës, Maxarri luan kartën “Insinje”. Të kaltrit përpiqen të shënojnë golin e fitores, por Katania tregohet perfekte. Në minutat e fundit të takimit, Napoli rrezikon të kalojë në disavantazh, por ishte De Sanktis që evitoi pësimin e golit. Atalanta mund “in extremis” Palermon, me një gol të Raimondit. Debutim i hidhur ky për Gasperinin si trajner i formacionit palermitan. Bolonja nuk merr më tepër se një pikë në fushën e saj kundër Peskarës. Vendësit kalojnë të parët në avantazh me Alberto Xhilardinon, por Peskara barazon rezultatin e ndeshjes me Kuinteron, i cili me anë të një goditjeje dënimi e dërgon topin në rrjetë. Në pjesën e dytë Xhila fiton një 11-metërsh (Perin përjashtohet nga fusha), por Diamanti hipnotizohet nga portieri i sapofutur, Pelicoli.
Kaos në Sardenjë, shtyhet Kaljari-Roma
Një rrëmujë e shkaktuar nga një thirrje e nxituar e presidentit të klubit të Kaljarit Masimo Çelino ndaj tifozëve, ka bërë që prefektura të vendosë që takimi ndaj Romës të shtyhet. Edhe pse sfida ishte programuar që të luhej në orën 15:00 të ditës së djeshme në stadiumin e “IS Arenas”, veprimi i presidentit të Kaljarit prishi gjithçka. Prefektura, edhe pse stadiumi është në rikonstruksion, kishte dhënë lejen që kjo sfidë të luhej, por me dyer të mbyllura. Por numri një i klubit të Kaljarit deklaroi se të gjithë ata që ishin të abonuar, mund të vinin e të shikonin ndeshjen. Dhe kjo bëri që ndeshja të anulohej.
Serie A
Të shtunën
Parma-Fiorentina 1-1
Juventus-Kievo 2-0
Dje
Sampdoria-Torino 1-1
Atalanta-Palermo 1-0
Bolonja-Peskara 1-1
Katania-Napoli 0-0
Inter-Siena 0-2
Udinese-Milan 2-1
Lacio-Xhenoa 0-1
Alegri
Mediat italiane, por jo vetëm, janë shprehur gjatë gjithë kësaj jave se trajneri Alegri do shkarkohej nga pankina e Milanit, në rast se kuqezinjtë nuk do fitonin ndaj Anderlehtit në Champions dhe Udinezes në kampionat. Po ja që një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Madje dje, në përfundim të ndeshjes, klubi i Milanit me anë të një komunikate zyrtare në internet ka konfirmuar besimin që kanë drejtuesit kuqezi në aftësitë teknike të Masimiliano Alegrit. “Puna e Alegrit te Milani nuk është vënë asnjëherë në diskutim. Si rrjedhojë ai do vazhdojë të drejtojë Milanin”, lexohet në komunikatën për shtyp të klubit kuqezi.