E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajushi shënon sërish, arrin në 5 gola në kampionat

Mesfushori shkodran ka realizuar golin e parë për Liteksin, duke i hapur rrugën fitores së ekipit të tij ndaj Lokomotivës së Sofjes me rezultatin 2-0

 

Nga ANDI TANKU

Armando Vajushi vazhdon të shkëlqejë në kampionatin Bullgar të futbollit. Mesfushori i kombëtares sonë ka qenë protagonist në takimin e djeshëm, që skuadra e tij Liteks ka fituar me rezultatin 2-0 në transfertë kundër Lokomotivës së Sofjes. Vajushi ka arritur të shënojë golin e parë të sfidës në minutën e 77-të, duke i hapur rrugën drejt suksesit skuadrës së Liteksit. Futbollisti shqiptar ka bërë një paraqitje të mirë në këtë 90-minutësh, duke marrë edhe përgëzimet e trajnerit Stoiçkov. Liteksi gjendet në vendin e 4-të të kampionatit Bullgar me 26 pikë, duke rikuperuar kështu disa pozicione pas atij fillimi jo të mirë të sezonit. Meritë në këtë ngjitje graduale të klubit bullgar ka edhe Armando Vajushi, për të cilin, goli i realizuar në takimin e djeshëm ishte i 5-ti në kampionat. Shkodrani është shndërruar në një lojtar të rëndësishëm për Liteksin, ku falë paraqitjeve të tij ka marrë edhe statusin e titullarit. Kalimi i tij në kampionatin bullgar ka rezultuar i suksesshëm dhe e ka rritur së tepërmi profesionalisht

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›