E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajzat me "ferexhe" padisin shkollën dhe drejtorinë arsimore

Kur ka kaluar më shumë se një vit nga momenti që u ndaluan të uleshin në bankat e shkollës 9-vjeçare "28 Nëntori" në Laprakë, motrat Hasani i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës duke paditur institucionet e shtet 

TIRANE-Gentjana dhe Marsela Hasani, dy motrat të cilat u përjashtuan nga shkolla për shkak se mbanin ferexhe, kanë vendosur të sfidojnë Drejtorinë Arsimore të Tiranës. Kur ka kaluar më shumë se një vit nga momenti që u ndaluan të uleshin në bankat e shkollës 9-vjeçare "28 Nëntori" në Laprakë, motrat Hasani i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës duke paditur institucionet e shtetit. Dy vajzat i kërkojnë gjykatës të detyrojë Drejtorinë Arsimore të Tiranës dhe shkollën 9-vjeçare, t'u japin të drejtën për të vazhduar ciklin mësimor 9-vjeçar në institucionin arsimor publik. Më tej motrat kërkojnë të dëmshpërblehen për dëmin moral e financiar të shkaktuar nga shkelja e një të drejte. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, babai i dy vajzave Medat Hasani i tha gjykatës se është i padrejtë vendimi i marrë për dy vajzat e tij, duke u mohuar atyre të drejtën për t'u arsimuar. Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare, Lirie Ahmeti tha se "nuk i ka përjashtuar ajo vajzat, por ligji". Sipas drejtoreshës, në nenin 7 të ligjit për arsimin parashikohet se "arsimi parauniversitar publik ka karakter laik. Në institucionet arsimore publike ndalohet indoktrinimi ideologjik e fetar". 
Gjyqtari Ilir Mustafaj do të vendosë nëse pretendimet e motrave praktikante të besimit islam janë apo jo të drejta.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›