Pinjolli i familjes Durazzo, "Nderi i Qytetit"
Konsulli i nderit i Shqipërisë në principatën e Monakos, Giuseppe Durazzo, është nderuar në Durrës me titullin "Nderi i Qytetit". Pak ditë më parë bashkia e qytetit i akordoi pinjollit të një familjeje durrsake, e cila emigroi nga Durrësi 4 shekuj më parë, titullin "Nderi i Qytetit", me propozim të shoqatës intelektuale kulturore, "Durrësi". Titulli i është dhënë konsullit Durazzo nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili tha se qyteti do t‘u jetë gjithmonë mirënjohës atyre që kontribuojnë për vendin dhe përhapjen në botë të imazhit pozitiv të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë. Giuseppe Durazzo u shpreh i kënaqur për këtë vlerësim që i vjen nga qyteti, emrin e të cilit mban familja e tij për më se katër shekuj, si mbiemër për të kujtuar gjithmonë prejardhjen nga ky qytet. Durazzo tha se ai do të vazhdojë "të punojë gjithmonë për të përçuar kudo ku ai kryen aktivitetin emrin e mirë dhe imazhin pozitiv të qytetit të tij të Durrësit". I nderuari më i fundit nga Bashkia e Durrësit, 48-vjeçari me emrin e shqipëruar Xhuzepe Durrësi, ka lindur në Xhenova të Italisë dhe është pasardhës i një familjeje durrsake, e cila për 4 shekuj është dalluar duke u bërë protagoniste e historisë së Xhenovas. Nga pozicioni i konsullit të nderit të Shqipërisë në Principatën e Monakos, Durazzo ka zhvilluar aktivitete të shumta për njohjen e Shqipërisë dhe forcimin e lidhjeve kulturore e ekonomike me Monte Karlon, Xhenovën dhe Ligurian. Ai është një ndër nismëtarët e përurimit të ekspozitave të arteve dhe fotografisë ku Shqipëria është bërë prezente në sytë e personaliteteve të Monakos, Xhenovas etj. Organizimi i konferencave me tema rreth emigracionit shqiptar, integrimit të emigrantëve dhe perspektivave të ekonomisë shqiptare është një tjetër pjesë e aktivitetit të tij të ngjeshur në shërbim të Durrësit dhe Shqipërisë. Pjesa më e rëndësishme e tij si avokat, profesor në universitete të ndryshme të Italisë, më parë konsulent i Komisionit Evropian dhe aktualisht ekspert i komisionit për vlerësimin e projekteve të zhvillimit pranë qeverisë së Belgjikës, lidhet me problemet e produkteve ushqimore, çështje relative të import-eksportit të produkteve ushqimore, etiketimin dhe përbërjen e ushqimeve funksionale, probiotik, biologjik, problematikë e pandashme lidhur me ushqimet gjenetikisht të modifikueshme etj.