Miresevini ne Lunxhëri
Çelet sezoni turistik në Lunxhëri. Krahina mjaft e njohur në jug të vendit për vlerat e saj natyrore dhe kulturore pa anashkaluar dhe ato historike e kombëtare, për herë të parë po fokusohet si një zonë turistike. Komuna Lunxhëri me këtë rast ka organizuar një ceremoni promovuese turistike me qëllim qasjen e këtyre vlerave të virgjëra tek turistët e huaj dhe vendas mjaft prej të cilëve kanë shprehur gadishmëri të shikojnë nga afër pasuritë e saj. "Lunxhëri plot lezete", është vargu i një kënge të moçme lunxhote që personifikon vlerat e shumëllojshme që ka kjo krahinë në jug të vendit. Për kreun e Komunës së Lunxhërisë Ilija Kuro, turizmi në këtë zone, do të jetë mjaft aktraktiv për vizitorët e huaj pasi kanë plot mundësira për të parë nga afër objekte historike me vlera të papërsëritshme arkitekturore e deri tek pasuritë natyrore që janë dhuratë për banorët e kësaj zone. Qëllimi i komunës sonë është shprehur Ilija Kuro, është krijimi i një baze turistike në këtë zonë e cila do të krijonte një pikënisje për promovimin e turizmit jo vetëm tek shtetasit vendas që nuk e njohin ende, por edhe tek të huajt. Zona e Lunxhërisë, është e pasur me objekte të hershme religjioze ortodokse të ndërtuara në periudhën e lashtë. Njëkohësisht në Lunxhëri gjendet edhe Kalaja e Shën Triadës e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena e cila e ka marrë emrin nga një kishë e moçme rrënojat e të cilës gjenden aty pranë. Veç kësaj disa zbulime varresh antike në zonën fushore të fshatit Valare si dhe Parkun Arkeologjik të Antigonesë, janë dëshmi e gjallë e një pasurie të rrallë për këtë zonë që kërkon të jetë në listën e zonave turistike shqiptare. Lunxhëria përqëndrohet në pjesën lindore të rrethit të Gjirokastrës në ekstremin lindor të lumit Drino. Popullsia e saj prej 4000 banorësh është kryesisht e besimit ortodoks por në vitet e socializmit krijimi i dy fshatrave nga sistemi i atëhershëm, stacionoi aty popullsi të ardhura nga krahina e Kurveleshit. Kryetari i Komunës së Lunxhërisë Ilija Kuro, ka premtuar se me resurset e shumta që ka, kjo zonë mjaft shpejt do të renditet si një ndër pikat më interesante për turistët.