E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vala e çmendurisë nuk ndalet me këshilla

09-06-2011 / Nga Eden Babani

Letra e Hapur e Edi Ramës, nuk erdhi – siç thonë – si rrufe në qiell të kaltër. Jo! Qielli kishte kohë që ishte vrenjtur. Ai ishte errësuar, madje nxirë pus, përpara zgjedhjeve të 8 majit. S’do mend, në qiell të atillë, do të priteshin edhe shtrëngata, edhe shkreptima, edhe bubullima, edhe rrufe. Dhe rrufetë vrasin. Të vrasin ty, më vrasin mua, vrasin bijtë e mi ose të tutë. Këtë ka shpallur botërisht me Letrën e tij të Hapur kryebashkiaku në largim i Bashkisë së Tiranës, i më të madhes bashki të vendit. Ose unë kryebashkiak, ose rashë e vdiqa. Madje, jo rashë e vdiqa, po bini e vdisni ju, që të mbretëroj unë. Përndryshe, s’ka drejtësi në Shqipëri, s’ka ilaç tjetër që e shëron këtë vend, përveç kataklizmit.
Qysh prej ditësh, çmenduria ka dalë e po shëtit sheshit, në mes të Tiranës, në çdo kënd të Shqipërisë, ku ka fituar partia e Edi  Ramës. Në Kavajën e lëvizjeve të para për demokraci, më shumë se askund tjetër, sepse atje u gjend një mjeran që po e përtyp turpin me bukë dhe nuk ka guximin të mos e pranojë karrigen e kryetarit të bashkisë, e cila do t’i jetë mallkim brez pas brezi. Jo se e fitoi. Të ishte ashtu, le ta gëzonte. Ia dha vullneti i sovranit dhe mbi të, nuk del kush, madje, me sovranin, s’ka një, as dy. Por sepse, pasi u keqpërdor familjarisht prej një njeriu që noton jashtë realitetit, mes ëndrrës-makth dhe delirit, po përpëlitet në shpërgënjtë e një foshnje të ëndërruar që, për fat të keq nuk ka ardhur në jetë dhe nuk dihet nëse do të vijë ndonjëherë apo do të mbetet vetëm një iluzion i këndshëm, i nëpërkëmbur prej babëzisë së ndyrë të çmendurisë që s’njeh kufij. A do ta përballojë mallkimin ndërgjegjja e qytetare e njeriut viktimë të çmendurisë? Koha le ta tregojë. Kam besim se Kavaja dhe të gjithë ata që, ndonëse nuk kanë lindur në Kavajë, por ndihen kavajas, do ta presin me ngazëllim birin plëngprishës, të rikthehet në bashkësinë e një qyteti që nuk e ka duruar kurrë dhe nuk e duron dot turpin. Mospranimi i karriges së kryetarit, tashmë të damkosur me njolla turpi, do të ishte kapak floriri për atë vetë, për të afërmit, për miqtë dhe shokët, për gjithë qytetin, që e rriti dhe e votoi si individ.
Letra e Hapur e Edi Ramës, më tepër sesa shpresë për të mbijetuar, është vetëvrasje për autorin. Duket qartë se, prej sodit, ai nuk është më i besueshëm, as i mbështetur prej ndokujt. Nënteksti i Letrës është i qartë. Përndryshe, do të kishte reaguar si lider partie, jo si individ i vetmuar. A thua të ketë njeri në botë që t’u besojë “blegërimave-angullima” të ujkut veshur me lëkurë qengji? Aq më tepër, kur ato ndihen në vetminë që po përjeton?
Ora e gjyqit po afron.
Qytetarët e Tiranës nuk do t’i gëlltisin aq lehtë gjithë prapësitë që përjetuan gjatë tre mandateve të një kryebashkiaku të zi, i cili s’diti të bënte tjetër, veç të shtonte taksa, t’i vilte ato dhe të mos bënte gjë prej gjëje.
Anëtarësia e partisë më të madhe të opozitës, nuk do ta lejojë ashtu, qorrthi, të luajë me ndjenjat e qindra-mijëra njerëzve, të cilat rrjedhin prej përkatësisë politike, siç ka luajtur deri sot. “Klientët” e betonarmesë, nuk do t’ia falin milionat e ryshfeteve për leje ndërtimi, ani se ende po i lëpihen siç u lëpihej dhelpra “atyre” të dashit, kur u shkonte pas me shpresë të binin këtu, të binin atje, e jargavitej nga kënaqësia.
As thirrjet dhe kërcënimet për revolta popullore nuk ngjitin më. Macja, kur u dogj prej qullit, filloi t’i frynte edhe kosit. Cili është ai shqiptar që vë kokën në gijotinë, sepse Edi Rama nuk do të njohë asnjë lloj drejtësie, veç asaj që e shpall Kryetar të Bashkisë së Kryeqytetit?
Edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të akredituar në Tiranë, edhe ata që sot drejtojnë organizmat e Europës së Bashkuar, edhe ata që vigjilojnë vendin kampion të demokracisë moderne, SHBA-në, nuk i hanë më lajkat dhe thirrjet e dëshpëruara të një njeriu që deri dje u është hakërryer,  i ka përbuzur këshillat e tyre miqësore, siç po vazhdon t’i përbuzë sot e gjithë ditën, madje edhe në Letrën e tij të Hapur. Ata janë shprehur qartë dhe njëzëshëm se procesi zgjedhur duhet të mbështetet mbi ligjin me të dyja këmbët, ashtu siç e kanë pranuar me gjuhën diplomatike se ka ndodhur deri më sot.
Në mos për të mbajtur veten me shpresë - si gomari që luste të ishte në ëndërr, ndërsa po e shqyente ujku - Letra e  Hapur nuk mashtron dot kënd në botën shqiptare. Përkundrazi, ajo është fund e krye kambanë e vërtetë alarmi për mbarë kombin. Të mos njohësh asnjë institucion kushtetues të pavarur, asnjë hetim prokurorie, asnjë vendim gjykate, asnjë këshillë miku, por t’u kërkosh miqve ndihmë, duke i rënë fyellit vetëm në vrimën “ose unë kryetar bashkie, ose për Shqipërinë s’ka vend në Europën e Bashkuar, kurse mbarë Kombit të lashtë të shqiptarëve, do t’i vë zjarrin, do ta djeg, do ta shkrumboj, do ta zhbëj tashti, në shekullin e njëzetenjëtë, kur njëra pjesë e tij, shteti amë, është anëtare e NATO-s”, nuk do të thotë stalinizëm, as hitlerizëm, as polpotizëm. Kjo do të thotë çmenduri në valim e sipër. Dhe vala e  çmendurisë duhet mehur me çdo mjet, sa nuk është tepër vonë, duke filluar nga ligji, deri te masat e tjera parandaluese.
Nuk duhet harruar se e keqja s’ka fund.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›