E Diel, 1 Nëntor 2026

Me mendësinë e tij eskatologjike, Edi Rama po i rrezikon interesat kombëtare

09-06-2011 / Nga Rexhep Kastrati

Edi Rama, ky njeri që në politikën shqiptare u fut nga kulisat e pista të Partisë Socialiste, dhe jo vetëm, tashmë në mënyrë të plotë e ka shfaqur mendësinë eskatologjike, të fundit të botës shqiptare nëse guxon kush të mos i bindet kërcënimeve të tij për t’ia dhënë postin e kryetarit të Tiranës. Mendësia eskatologjike, nga Edi Rama ka filluar të shpërfaqet dy vjet pas instalimit të mendësisë anarkiste, parapolitike dhe ilegale, dhe pas dy vjet veprimtarie të vazhdueshme destruktive, kërcënuese, shantazhuese dhe kundërkombëtare të tij dhe të forcës politike që përfaqëson. Ka dy vjet që shqiptarët, jo vetëm të Tiranës, jo vetëm të këtij shteti shqiptar, por të gjithë shqiptarët kudo që janë, janë duke parë shpërfaqje të vazhdueshme të simptomave psiko-patologjike të një tipi skizoid, skizofren dhe kontravers, dhe të mbështetur si në tragjeditë antike, nga një kor njerëzish me simptoma të ngjashme psiko-patologjike. Me fjalë të tjera, ka dy vjet që shqiptarët po shohin një shfaqje sistematike të një sjelljeje delikuente, destruktive dhe psiko-patologjike të mishëruar jo vetëm në Edi Ramën si individ publik, por edhe të një force politike të mbushur me energji negative dhe me qëllime të qarta kundërkombëtare. Që dy vjet, ky njeri me kriza të thella në personalitetin e tij, me një ankth të vazhdueshëm për fundin e tij, që e ka lidhur vazhdimisht me fundin e tij politik, e për pasojë edhe forca politike në krye të së cilës është ai, bënë gjithçka që të shkatërrojnë çdo shpresë të shqiptarëve për shtet ligjor, për një shtet të konsoliduar dhe për një të ardhme dinjitoze. Ka dy vjet që shqiptarët janë duke parë se si Edi Rama dhje forca politike në krye të së cilës është ai, po bëjnë gjithçka për të penguar zhvillimin ekonomik të vendit, për të penguar anëtarësimin e shtetit në institucione euro-atlantike, për të shkatërruar imazhin e shqiptarëve në botë. Tërë kjo pse zgjedhësit e dënuan me votë më 2009, vetëm pse nuk e bënë detyrimisht kryeministër. Dhe kjo është aq e qartë, sa që nuk ka shqiptar në botë të mos e ketë kuptuar se Edi Rama dhe forca politike në krye të së cilës është ai, para interesave personale dhe për interesa personale janë në gjendje të shkatërrojnë çdo interes kombëtar, çdo interes shtetëror. Dhe pikërisht për këtë, zgjedhësit e ndëshkuan edhe për herë të dytë, më 8 maj, duke i thënë se duhet të lëshojë zyrat e bashkisë dhe të mos i cenojë më interesat e qytetarëve. Tashmë kur e ka parë këtë, Edi Rama e ka kuptuar se fundi i tij ka ardhur. Dhe Edi Rama ka frikë nga fundi i tij, sepse tipat si ai, në thelb janë shumë frikacakë, janë tmerrësisht frikacakë, dhe të paaftë ta përballojnë dhe ta kontrollojnë frikën e tyre. Edi Rama ka frikë nga paaftësia e vet, ka frikë nga patologjitë e tij, ka frikë nga fundi politik i tij. Ai ka frikë nga humbja, sepse vetëm iluzioni i të pahumburit bën që të mos shkërmoqet fare. Dhe frika pjellë ankthin, kurse ankthi e ngulfat arsyen, e ngulfat lirinë, e ngulfat sjelljen normale. Kushdo që e ka dëgjuar Edi Ramën, ka mundur ta kuptojë frikën e madhe që e ka kapluar. Dhe sa më e madhe që është frika, aq më i madh është edhe agresiviteti i Edi Ramës. Ai, tashmë këtë agresivitet nuk është duke e fshehur, sepse vetë po kujdeset që të mos e fshehë. Ai nuk do ta fshehë as agresivitetin, as destruktivitetin, e as lidhjen e fatit të tij me fatet e vendit, me fatet e kombit. Dhe ai hapur kërcënon: kërcënon institucionet e shtetit, kërcënon institucionet e drejtësisë, kërcënon të gjithë që guxojnë e të mos ia japin sërish postin e kryetarit të bashkisë Tiranë. Ai, tashmë po kërcënon se fundi i tij do jetë edhe fundi i çdo interesi të qytetarëve, edhe fundi i çdo interesi të shtetit, edhe fundi i çdo interesi kombëtar. Dhe mbrapa ka një kor delikuentësh, destruktivësh dhe sociopatësh të papërgjegjshëm sa vetë Edi Rama. A ka më turp për një deputet të hidhet mbi kokat e policisë? A ka më turp për një forcë politike që ditën kur shteti do të duhej të merrte ftesën për në NATO, del në qendër të Tiranës dhe shpërfaq huliganizmin e saj politik? A ka më turp për një forcë politike që vazhdon ta mbajë në krye të saj një njeri që kërcënon hapur se nëse nuk do të jetë kryetar bashkie, do të jetë edhe fundi i çdo interesi kombëtar, duke filluar me të parin: përfitimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE? Dhe kjo ndodh kur, në anën tjetër, Serbia është më afër se kurrë që të përfitojë statusin e vendit kandidat. Dhe kjo ndodh kur Serbia çdo ditë po flet për ndarje të Kosovës, pra po flet për përmbyllje të realizimit të interesave të saj në dëm të shqiptarëve. Pra, Edi Rama kërcënon se do rrënojë çdo interes kombëtar, dhe se fundi i tij, do të jetë edhe fundi i botës shqiptare. Vallë çfarë e bën këtë të jetë i këtillë? Çfarë e bën Edi ramën kaq të papërgjegjshëm? Po të bazoheshim te psiko-analistët, atëherë do të duhej të kërkonim thellë në fëmijërinë e tij, por edhe në çrregullime të libido-s, përkatësisht të jetës së tij seksuale. Sipas psiko-analistëve, që nga Frojdi, Jungu, Adleri, dhe të tjerë, një fëmijëri  e vështirë paraqet bazën e patologjive të ndryshme të tipit neurotik, e që më tej shkaktojnë sjellje delikuente, skizoide dhe me komplekse të shumta, siç janë edhe komplekse të tilla si ai i Edipit, i Ahasverit, etj. Me fjalë të tjera, çrregullimet në personalitetin e tyre, bëjnë që të këtillët të shndërrohen në tipa agresivë, e kur u jepet mundësia edhe në tiranë të vërtetë. Dhe duket se rasti i Edi Ramës është ky. Pra, rasti i Edi Ramës nuk është rasti thjesht i një pinjolli të ideologjisë politike të kuqe, te zezë apo edhe të hirtë, por është rasti i një psiko-patologjie të mirëfilltë që mund dhe duhet të jetë objekt shqyrtimi psikiatrik. Tipi psiko-patologjik si Edi Rama, nuk është se ka ideologji politike, pasi që për ta nuk ka rëndësi kjo, sepse politika, pushteti nuk u duhet për të ndërtuar një sistem politik, shoqëror dhe shtetëror në funksion të interesave të qytetarëve, por si strehë për të mprehur, për të realizuar dhe për të mbajtur gjallë atë që mund ta quajmë, ideologji personale, që mbështetet pikërisht në destruktivitet, në delikuencë, në shfrim veprimesh të dhunshme dhe në hakmarrje. Kjo është shumë e ngjashme me përshkrimin që Erazmo Roterdami ia bën marrëzisë. Sipas tij, marrëzia është si kërmilli: kërmilli fillimisht i nxjerrë brirthët për të parë se a ka ambient të përshtatshëm për ta nxjerrë trupin: nëse nuk ka rrezik, del i tëri, nëse ka rrezik, i fut edhe brirthet. Për tipat psiko-socialë si Edi Rama, pushteti është si guaca e kërmillit. Pa të, ka frikë se nuk rron dot. Është çështje e shoqërisë, dhe përgjegjësi e saj që me votën e tyre ia kanë dhënë mundësinë për të qenë në pushtet, dhe për ta përdorur atë pushtet për të kërcënuar tërë shoqërinë, tërë kombin. Nuk duhet harruar kurrë se edhe Hitleri, edhe Musolini, në pushtet kanë ardhur me votë, kurse u desh të përmbyseshin me luftë...  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›