Vala e grabitjeve merr përpara edhe Spiro Kserën, i vjedhin mijëra euro, iPod dhe orën e shtrenjtë
Shqipëria është përfshirë nga një valë grabitjesh e vjedhjesh. Madje kemi importuar edhe të huaj për këtë çështje. Kjo valë ka marrë përpara edhe një tjetër ministër, atë të Punës dhe Çështjeve Sociale. Spiro Ksera është ministri i dytë që vidhet në pak kohë. Më përpara u vodh makina e ministrit Aldo Bumçi
Vala e vjedhjeve që ka përfshirë vendin ka prekur edhe ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera. Edhe pse zyrtarisht nuk është njoftuar për këtë ngjarje, mësohet se Policia e Tiranës ka arrestuar një person, që akuzohet për një seri vjedhjes, mes të cilave edhe banesën e ministrit të Punës, Spiro Ksera. Sipas burimeve të policisë, në pranga është vënë shtetasi Arbër Azem Shiqerukaj, i vitl.1987, lindur në Tropojë dhe banues në rrugën Aleksandër Moisiu Tiranë, me arsim 8 klasë, i pa dënuar.
Mësohet se 25-vjeçari, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, të cilët janë ende të lirë, kanë grabitur në shtëpinë e ministrit të Punës dhe të Çështjeve Sociale Spiro Ksera në lagjen Fadil Rada në Tiranë, një aparat iPod Apple, një orë të shtrenjtë, disa mijëra euro, si dhe disa aksesorë të ndryshëm. Grabitja ka ndodhur më 31 janar, por vetëm gjatë ditës së sotme është bërë i mundur arrestimi i një prej të dyshuarve për këtë ngjarje.
Vjedhjet në Tiranë janë bërë një fenomen shqetësues, duke qenë se janë shtuar në mënyrë të konsiderueshme dhe për më tepër janë të dhunshme. Në ditë ndodhin dhjetëra vjedhje, të cilat shumë pak raportohen dhe zbulohen nga ana e policisë. Para pak kohësh u vodh makina e Ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi.
