Vala e të nxehtit/ Qytetet kryesore të Italisë në alarm të kuq, paralajmërimi: Kërcënim për të gjithë

Italia ka shpallur alarmin e kuq në shumicën e qyteteve kryesore, ndërsa vala e të nxehtit intensifikohet në Europë. Temperaturat pritet të arrijnë kulmin të mërkurën, me 23 qytete në gatishmëri të lartë, nga Trieste në veri-lindje deri në Messina në jug-perëndim.
Paralajmërimet nënkuptojnë se nxehtësia përbën një kërcënim për të gjithë, jo vetëm për grupet vulnerabël. Zjarret po shpërthejnë gjithashtu në të gjithë kontinentin, duke përfshirë Greqinë dhe Alpet Zvicerane.
Miliona njerëz në hemisferën veriore po preken nga temperaturat përvëluese që po shkaktohen nga një sistem me presion të lartë që sjell ajër më të ngrohtë, tropikal.
Temperaturat e larta parashikohet të zgjasin deri të mërkurën në pjesën më të madhe të Evropës jugore, ku pjesë të ishujve italianë të Sardenjës dhe Siçilisë do të jenë më të nxehtit, me temperaturat maksimale rreth 46 ose 47 gradë Celsius.
Vala e të nxehtit, e cila ka përfshirë të gjithë vendin, është përshkruar nga mediat lokale si “java e ferrit”. Ministria italiane e shëndetësisë u ka kërkuar urgjencave në të gjithë vendin që të aktivizojnë të ashtuquajturat “kodet e nxehtësisë”, duke caktuar një grup të veçantë të personelit mjekësor për të trajtuar njerëzit që vijnë me simptoma të shkaktuara nga vapa.
Sipas ministrisë së shëndetësisë, ka pasur një rritje prej 20% të numrit të pacientëve që pranohen me simptoma të lidhura me nxehtësinë, si dehidratim, rraskapitje, goditje nga nxehtësia dhe konfuzion.
Ndërprerje të energjisë elektrike ka pasur në Palermo, si pasojë e kërkesës së lartë për ajër të kondicionuar.
Agjencia e OKB-së për motin, Organizata Botërore Meteorologjike, ka paralajmëruar se vala e të nxehtit në Europë mund të vazhdojë deri në gusht dhe se temperaturat ekstreme që përfshijnë globin janë normalja e re në një botë të ngrohur nga ndryshimet klimatike.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh se ndryshimi i klimës do t’i bëjë valët e të nxehtit më të shpeshta, më intensive dhe do të zgjasin më shumë.
Ekspertët thonë se Europa në veçanti po ngrohet më shpejt se sa parashikonin shumë modele klimatike. Më shumë se 61,000 njerëz u vlerësuan të kenë vdekur nga i nxehti në Europë vitin e kaluar./ BBC
/rtsh.al/