E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kontributi i rinisë i jep fund politikës së vjetër

 

Dialogu me Shqipërinë, Rama takim me të rinjtë e Librazhdit

Librazhd- Dialogu me Shqipërinë i Kryetarit të PS-së Edi Rama ka vazhduar dje në Librazhd. Të rinjtë e vendit dhe mundësitë e pakta të punësimit, marrja e cenuar e dijeve apo fenomeni i braktisjes së shkollës kanë qenë temat e bashkëbisedimit të Kryetarit të PS-së me të rinjtë e Librazhdit. Duke folur për sfidat me të cilat duhet të përballet rinia e sotme, kryesocialisti ka bërë të qartë se është pikërisht rinia ajo që me aktivizimin dhe kontributin e saj duhet t'i jap fund përpjekjeve të politikës së vjetër për ta mbajtur peng Shqipërinë në rrugën e saj drejt familjes së madhe evropiane. Ai ka ftuar të rinjtë që të marrin në dorë fatin e vendit dhe të bëjnë të mundur transformimin e këtij realiteti në një shpresë për të ardhmen, ku çdo i ri dhe e re të gjejë një mundësi të mjaftueshme për një jetë normale. "Diplomat për fat të keq në shumtën e herëve janë letra pavlerë, sepse pas universitetit të rejat dhe të rinjtë gjenden të papunë. E vetmja mundësi që rri në mendjen e tyre është mundësia për të marrë arratinë, për të shkuar dhe për të punuar si skllevër në toka të huaja, sepse jeta e skllavit për fat të keq ju jep diçka, ndërkohë që jeta në vendin e tyre nuk u jep asgjë", - u shpreh Rama. Ndërkohë ai ka siguruar bashkëbiseduesit e rinj se PS që ai drejton është e vendosur për ti dhënë fund këtij realiteti, përmes një bashkimi të ri përtej kufijve të partive politike. "Ne ju kemi një borxh fëmijëve tanë që mund ta lajmë vetëm ne përmes një bashkimi të ri. Një bashkimi ku duhet të jemi pjesë në radhë të parë si shqiptare dhe shqiptarë, si qytetare dhe qytetarë, si njerëz që duam të jetojmë me dinjitet dhe që këtë duam ta bëjmë në vendin tonë, në qytetin tonë, në fshatintone. Për ta bërë këtë ne duhet t'i kapërcejmë kufijtë që na vendosin partitë. Ne duhet t'i kapërcejmë horizontet që janë të vëna nga flamujte partive, ashtu siç duhet t'i kapërcejmë paragjykimet për njëri-tjetrin", - theksoi kryesocialisti Edi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›