Vanessa Redgrave i thotë po Prishtinës
Gati edicioni i parë i "PriFilmFest". Organizatorët premtojnë një festival dinjitoz, atë që Shqipëria po përpëlitet prej njëzet vjetësh dhe nuk e ka akoma
Në Prishtinë prej kohësh kanë nisur përgatitjet për realizimin e edicionit të parë të festivalit ndërkombëtar të filmit "PriFilmFest". Aktiviteti pritet të organizohet në shtator të këtij viti, ndërkohë që dje organizatorët e tij kanë dalë në një konferencë për shtyp, ku kanë zbuluar disa nga surprizat e festivalit.
"Oskari" britanik, aktorja Vanessa Redgrave, ka pranuar të jetë presidente nderi e festivalit. Prania e saj në këtë eveniment nuk është e rastësishme. Redgrave njihet si një mbështetëse e artit të Kosovës, sidomos për ndihmë që i ka dhënë komunitetit artistik gjatë luftës së Kosovës.
Redgrave, një legjendë e gjallë e kinemasë botërore dhe e teatrit prej më se gjysmë shekulli, u ka thënë po organizatorëve, me gjithë tronditjen e thellë që ka pësuar me humbjen e së bijës, aktorja Natasha Richardson.
Anëtarët e tjerë të bordit të nderit janë Isidore Codron, producent (Afrika e Jugut), Omer Kaleshi piktor shqiptar që krijon në Paris; regjisori britanik David Gothard; regjisori vendas Isa Qosja; shkrimtari dhe publicisti Eqrem Basha; Agim Zatriqi, drejtor i RTK-së; Luan Mulliqi, skulptor, si dhe Shkumbin Istrefi, aktor nga Kosova.
Në "PriFilmFest", deri tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen regjisorë nga Gjermania, Franca, Turqia, Kosova, Shqipëria, Anglia, Afganistani, Bosnja, Maqedonia, Shtetet e Bashkuara te Amerikës, etj.
Ndonëse festivali do të zhvillohet më 22-30 shtator, organizatorët bëjnë të ditur se tashmë kanë përgatitur edhe statujën e festivalit. Ajo është krijuar nga skulptori Luan Mulliqi dhe reflekton simbolin e qytetit të Prishtinës. Quhet "Hyjnesha e Artë".
Festivali i fëmijëve, sot në Shkodër
Edicioni i 47 i Festivalit Mbarëkombëtar të këngës për fëmijë, i cili tradicionalisht zhvillohet në qytetin e Shkodrës, ngre siparin sot në Teatrin "Migjeni".
Sipas organizatorëve, në këtë edicion janë 34 këngë të reja që do të interpretohen gjatë dy netëve, ndërsa 24 prej tyre do të kalojnë në natën finale. Krijues dhe interpretues nga të gjitha trevat shqipfolëse i japin edhe këtë vit festivalit ngjyrat e botës fëminore.
Festivali zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë së Shkodrës dhe Qendrës Kulturore të Fëmijëve, me kontributin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, asaj të Arsimit dhe Shkencës, Drejtorisë Arsimore Rajonale Shkodër dhe nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.
Klasik dhe folk në "Argjiro 2009"
Edicioni i tretë i Festivalit "Takimet muzikore të dy botëve - Argjiro 2009" nis nesër, në orën 19:00, me koncertin e kuartetit rus "Atrium: Melodi ruse" dhe vijon në orën 20:00 me koncertin e korit polifonik të konservatorit të Janinës.
Programi i ditës së dytë, i cili mbahet në të njëjtat orare të mbrëmjes përfshin Koncertin e kuartetit të Evropës Juglindore Celissimo, i cili përbëhet nga instrumentistë që vijnë prej Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Vojvodinës dhe pas tij grupi polifonik vendas "Ergjëria".
Po më 6 qershor, në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare "Helsinky Citizens Assembly" dhe "Courrier des Balkans" të Francës, zhvillohet tavolina e rrumbullakët me të rinj nga rajoni: "Dialogu i kulturave dhe roli i kulturës dhe i artit në Evropën Juglindore".
Dita e fundit, e diela, sjell në skenën e ngritur në kalanë e qytetit, emrin e së cilës mban edhe festivali, Duon për piano Julia Amada Kruger (SHBA) dhe Viktor Bunin (Rusi). Mbyllja i është rezervuar artistes nga Kosova, Alma Bektashi, e cila interpreton këngë nga një repertor i muzikës Jazz dhe asaj qytetare, e shoqëruar në piano nga Julia Amada Kruger.
Prezantues janë Mariza Ikonomi dhe Visar Vishka. Të gjitha koncertet janë falas për publikun. Festivali organizohet nga Shoqata franko-shqiptare "Argjiro".
Një vit pas pranimit të Beratit në UNESCO-s, Koichiro Matsuura viziton qytetin dhe shpallet "Qytetar nderi"
Matsuura: Hartoni një plan të qëndrueshëm të zonës historike të qytetit
Një vit pas pranimit të Beratit në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, drejtori i këtij institucioni të rëndësishëm, Koichiro Matsuura, viziton qytetin muze.
Matsuura ka patur një rol të rëndësishëm gjatë procesit të shqyrtimit dhe miratimit të dosjes së Beratit, proces që zgjati disa vjet dhe u kurorëzua me sukses më 8 korrik 2008.
Për këtë arsye autoritetet lokale e kanë i kanë shprehur mirënjohjen, duke e vlerësuar figurën e tij me titullin "Qytetar Nderi", titull që i është dhënë unanimisht nga Këshilli Bashkiak i qytetit, dhe motivacioni është ky:
"Për kontributin e dhënë në njohjen, promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të Trashëgimisë Kulturore e Historike të qytetit të Beratit dhe kujdesin e tij të drejtpërdrejtë për regjistrimin e Beratit si Pasuri Botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s".
Matsuura e mori titullin në mbledhjen e posaçme të Këshillit Bashkiak nga kryebashkiaku Fadil Nasufi. Në këtë ceremoni mori pjesë dhe foli edhe zëvendëskryeministri, Genc Pollo, i cili është dhe kryetar i delegacionit shqiptar për UNESCO-n.
Drejtori i Përgjithshëm falënderoi Këshillin Bashkiak për nderin që i bëri dhe u shpreh se "tashmë Berati nuk i takon vetëm Shqipërisë, por i takon gjithë njerëzimit. Vlerat e trashëgimisë, veçanërisht ato të kalasë, duhet të ruhen, sepse janë pjesë e trashëgimisë kulturore. Ju duhet të hartoni dhe menaxhoni një plan të qëndrueshëm të zonës historike të qytetit."
Më pas ai vizitoi kalanë historike të Beratit dhe Muzeun "Onufri", ku, përveç emocioneve, shprehu edhe impresionet e tij ndaj këtyre vlerave kulturore.
r.dosti