Dënohet me gjobë ish-shefi i rrugores
Ahmeti duhet të paguajë 200 mijë lekë gjobë, dhe dy vartësit e tij nga 100 mijë
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, dënon ish- shefin e komisariatit të Policisë Rrugore, Krenar Ahmetin, me 200 mijë lekë të reja gjobë dhe dy vartësit e tij me nga 100 mijë lekë secili.
Eshtë fajtor për abuzimin me detyrën, duke u dënuar me 200 mijë lekë gjobë. Sipas diapozitivit të vendimit të djeshëm, të dhënë nga gjyqtari Martin Deda, i pandehuri Ahmeti ka kryer veprën penale të "Kryerjes se veprimeve arbitrare" në bashkëpunim me dy të pandehurit në këtë proces, shtetasit Alfons Gjoni e Blenard Vathi të cilët u dënuan me nga 100 mijë lekë gjobë.
Këtë vepër penale, sipas vendimit, të pandehurit e kanë kryer gjatë ushtrimit të detyrës në kundërshtim me ligjin, duke ndaluar dhe shoqëruar në Komisariat pa asnjë motiv prokuroren e Krimeve të Rënda, Elisabeta Imeraj dhe bashkëshortin e saj avokat Agron Bajrin, mbrëmjen e datës 17 maj 2008. "I pandehuri Krenar Ahmeti deklarohet fajtor për veprën penale të "Kryerjes se veprimeve arbitrare" në bashkëpunim dhe dënohet me 200 mijë lekë gjobë.
Ndërsa, të pandehurit Alfons Gjoni dhe Blenard Vathi deklarohen fajtorë për veprën penale të "Kryerjes se veprimeve arbitrare" në bashkëpunim dhe dënohen përfundimisht me nga 100 mijë lekë gjobë secili.
Nëse dënimi me gjobë, nuk shlyhet brenda afatit 30- ditor të pandehurve i konvertohet në ditë burgu",-thuhet në diapozitivin e lexuar nga gjyqtari Deda pasditen e djeshme.
Në sallën e gjyqit që mban nr.2 e që ndodhet në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë, ishin të pranishëm vetë të pandehurit Krenar Ahmeti e Alfons Gjoni, të shoqëruar nga avokati i tyre dhe ish-shefi i qarkullimit rrugor në Kavajë i shkarkuar nga detyra për "shpërdorim detyre" Inklid Ndreu tashmë me detyrë "oficer linje" në Policinë Rrugore.
Ndërsa, i pandehuri Blenard Vathi nuk ka preferuar të vijë në asnjë seancë gjyqësore, duke u përfaqësuar nga po i njëjti avokat mbrojtës, Agron Gurabardhi. Ndërkaq, vetëm pak muaj më parë, konkretisht më 30 prill 2009 ka qenë prokurori i çështjes, Ervin Karanxha, që ka lexuar konkluzionet përfundimtare, duke kërkuar dënimin e të pandehurit Ahmeti me 500 mijë lekë gjobë, e për dy të pandehurit Vathi e Gjoni me nga 200 mijë lekë gjobë.
Ndërsa, avokati mbrojtës, gjatë fjalës së tij mbrojtëse dhe vetë të pandehurit, kanë kërkuar drejtësi nga gjykata, duke pretenduar për pafajësi.
Sipas vendimit, ish-Shef i Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë, i pandehuri Ahmeti, në bashkëpunim me dy bashkëpunëtorët e tij Vathi e Gjoni ka shfrytëzuar detyrën duke urdhëruar nëpërmjet ushtrimit të dhunës fizike dhe psikike, në kundërshtim me ligjin në mënyrë arbitrare për katër minuta dhe pa ndonjë shkak të motivuar ka shoqëruar në Komisariatin nr.2 prokuroren e Krimeve të Rënda Imeraj dhe bashkëshortin e saj avokatin Bajri.
"Me këtë veprim, i pandehuri Ahmeti dhe dy bashkëpunëtorët e tij Vathi e Gjoni kanë fyer rëndë të shoqëruarit në polici, duke ua marrë çelësat e makinës, sendet personale të ndodhura në makinë si dhe sekuestrimin e telefonave celularë duke i shkaktuar dëmtime njërit prej të shoqëruarve në duar",-thuhet në vendimin e gjyqtarit Martin Deda.