Vasil Shkurtaj debuton me Shqipërinë U-21
Vasil Shkurtaj regjistroi debutimin me fanellën e Kombëtares shqiptare, në ndeshjen kur Shpresat u mposhtën 2-1 në "Niko Dovana" nga Bjellorusia. Sulmuesi i skuadrës së të rinjve të Olimpiakosit është futur në lojë në minutën e 74, me fanellën kuqezi me numrin 13, si zëvendësues i kapitenit Enco Malindi. Ai nuk la gjurmë gjatë 15 minutave që qëndroi në fushë, por pavarësisht kësaj mund të cilësohet një talent i fituar. Kjo sepse Shkurtaj rrezikonte të mos luante për vendin e tij. Djaloshi me origjinë nga Vlora, por i lindur në vitin 1992 në Greqi nga prindër emigrantë në vendin fqinj, refuzoi përfaqësuesen U-21 helene, duke zgjedhur Shqipërinë. Me lojën e tij dhe 192 centimetrat gjatësi, Shkurtaj ka tërhequr vëmendjen e trajnerit të Olimpiakosit, Ziko, i cili ka kërkuar që sulmuesi të bashkohet në janar me ekipin e parë.
e. k.
e. k.