E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Largim nga puna mjekëve dhe infermierëve sekserë



Infermierët dhe mjekët që luajnë rolin e sekserit me pacientët, duke i drejtuar ata për ekzaminime laboratorike në sektorin privat, ndërkohë që strukturat shtetërore i kanë të gjitha kapacitetet e duhura, do të largohen nga puna.

Kjo deklaratë erdhi dje nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në takimin e zhvilluar me drejtorët e shërbimit parësor të Tiranës. Sipas Vasilit, shkelje të tilla do të marrin dënimin e merituar dhe se kjo është kauzë e humbur për cilindo.

Mungesat

Kreu i shëndetësisë bëri të ditur se shkelje të tilla si orientimi i pacientëve drejt privatit do të ketë tolerancë zero dhe çdonjëri që e praktikon, do të dënohet. “Strukturat shëndetësore i kanë të gjitha kapacitetet, ndaj dhe është e patolerueshme që mjekë dhe infermierë të luajnë rolin e sekserit, duke orientuar pacientët drejt privatit”, - u shpreh ministri.

Komunikimi

Më tej, në takimin e zhvilluar me drejtorët e shërbimit parësor të kryeqytetit, ministri u ndal edhe tek komunikimi mjek - pacient. Ai vlerësoi rëndësinë e etikës dhe komunikimit sa më të mirë të punonjësve të shërbimit shëndetësor parësor.

Vasili është ndalur në disa momente të rëndësishme, ku ndër të tjera e ka vënë theksin në cilësinë e lartë të shërbimit përmes kryerjes me mirësjellje të detyrës ndaj çdo qytetari në kryeqytet.

“Përdorimi i një komunikimi joprofesional ndaj pacientëve, veçanërisht ndaj atyre të moshuar, do të bëhet shkak për largimin nga detyra të çdo mjeku që e bën një gjë të tillë”, - paralajmëroi z. Vasili, ndërsa theksoi: “Shprehja “Fjala shëron” do të jetë motoja e shërbimit tonë, duke mos lejuar që asnjë pacient të dalë i lënduar nga gjuha e keqe e kujtdo”.

Sipas ministrit, shumë shpejt pritet të fillojë të zbatohet edhe sistemi i referimit si në sistemin parësor ashtu edhe në të gjitha hallkat e shëndetësisë. Gjithashtu, ai theksoi se do të investohet edhe në pajisje, për një shërbim sa më cilësor ndaj pacientëve.

“Respektimi i këtyre dy detajeve dhe kuptimi në të gjitha elementet i sistemit të referimit janë mjaft të rëndësishme që puna e përditshme të shkojë mbarë derisa shërbimi të jetë atje ku duhet”, - ka përfunduar ministri i Shëndetësisë, z. Petrit Vasili.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›