E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigranti shqiptar vret gruan dhe i vë flakën vetes



Itali

Një çift emigrantësh shqiptarë kanë humbur jetën në Itali. Dyshohet se burri ka vrarë me thikë gruan dhe më pas i ka vënë flakën vetes, duke gjetur vdekjen nga plagët e marra. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së dy ditëve më parë në qytezën e Fiorenzuolës. Sipas mediave italiane, viktimat janë 45-vjeçarja Shpresa Hajdini dhe bashkëshorti i saj, Hajet Hajdini. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Ngjarja

Rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, banorët e një prej pallateve në periferi të qytetit të Fiorenzuolës kanë parë flakë, të cilat kishin nisur në katin e katërt të një prej godinave. Menjëherë janë lajmëruar zjarrfikëset dhe forcat e policisë. Pas pak kohësh, zjarrfikësit kanë arritur që të shuajnë flakët, ndërkohë që janë futur brenda në banesë për të parë nëse kishte viktima apo të plagosur. Ata kanë gjetur pa shenja jete një grua, ndërkohë që një person i seksit mashkull ishte ende gjallë. Menjëherë ai është dërguar për kurim në spitalin e Parmës. Me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, plagët e marra në trup bënë që viktima të mos arrinte të mbijetonte.

Hetimet

Agjentët italianë nisën menjëherë hetimet në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Nga ekspertiza mjeko-ligjore e kryer, ata arritën në përfundimin se gruaja e gjetur pa jetë është 45-vjeçarja Shpresa Hajdini. Ajo kishte plagë në trup, të shkaktuara nga goditja me thikë. Ndërkohë që i shoqi i saj kishte gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të shkaktuara nga zjarri. Sipas mediave italiane, 48-vjeçari Hajet Hajdini kishte spërkatur veten me alkool dhe i kishte vënë më pas flakën. Nga hetimet paraprake rezulton se arsyet që mund ta kenë çuar 48-vjeçarin të ndërmerrte këtë veprim, mund të ketë qenë depresioni. Çifti kishte disa vjet që jetonte në qytezën e Fiorenzuolës. Ata kishin edhe një vajzë, e cila ende nuk ishte bashkuar me familjen dhe jetonte në Shqipëri. Dyshohet se midis çiftit ka nisur një zënkë, e cila mund ta ketë çuar 48-vjeçarin në këtë veprim. Procedurat burokratike duket se e kishin turbulluar atë, pasi kohët e fundit, sipas banorëve, ai ishte tepër i hutuar dhe shfaqte shenja depresioni. Ndërkohë që do të jetë përfundimi i hetimeve, që do të përcaktojë arsyet e vërteta të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›