Vasili, letër Ramës: Lejoni ekipet mjekësore të kryejnë punën
Ministria e Shëndetësisë i dërgon një letër kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, duke i kërkuar atij që ekipi mjekësor të lejohet të vizitojë grevistët. Në letrën e dërguar shprehet shqetësimi se deri tani nuk është lejuar që ky ekip të bëjë detyrën. Në deklaratën e MSH-së pohohet se po përcillet me shqetësim greva për shkak të rëndimit në vazhdimësi të kushteve shëndetësore të grevistëve. Në mënyrë të vazhdueshme autoritetet mjekësore shtetërore janë përpjekur të vendosin një komunikim sa më konstruktiv me drejtuesit e grevës dhe kryetarin e Partisë Socialiste për sigurimin e një shërbimi shëndetësor cilësor në mjediset e saj. Gjithashtu, i jemi drejtuar edhe me një letër zyrtare kryetarit të Partisë Socialiste, z. Rama, sepse deri në këtë moment që flasim, ekipet mjekësore të autorizuara shtetërore të Ministrisë së Shëndetësisë nuk janë lejuar të kryejnë detyrën e tyre brenda mjediseve të grevës, por janë lënë jashtë tyre, që prej fillimit të grevës, - informon ministria. Por deri dje, ajo përsëri nuk ka pasur një përgjigje, për këtë arsye i është drejtuar edhe publikisht kreut të PS-së, që në respekt të ligjit dhe të detyrimit për një shërbim mjekësor dhe profesional për grevistët, të lejojë ekipet e specializuara mjekësore të Ministrisë së Shëndetësisë që të kryejnë detyrën e tyre ligjore. Këto ekipe duhet të ofrojnë shërbimin e tyre në mjediset e grevës dhe pranë grevistëve, duke bashkëpunuar edhe me mjekët simpatizantë të Partisë Socialiste, që deri më tani e kanë ofruar në mënyrë vullnetare shërbimin shëndetësor në mjediset e brendshme të grevës, - përfundon kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë.