Grevistët, letër diplomacive perëndimore: Jeni gënjyer nga Berisha
Deputetët që janë futur në grevë urie, u dërguan dje një letër përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar dhe medias ku i shpjegonin arsyet e futjes në grevë urie. Për plot nëntë muaj, ne jemi përpjekur të ushtrojmë të drejtën tonë kushtetuese për transparencë, por përpjekjet tona kanë ndeshur murin e arrogancës dhe kokëfortësisë të një qeverie, veprimet e të cilës nuk njohin më kornizat e vendosura nga Kushtetuta e Republikës. Është pikërisht kjo qeveri që nuk pati kurajë për të reaguar ndaj mbështetjes të jashtëzakonshme të qytetarëve shqiptarë për kauzën tonë. Plot 200 mijë shqiptarë protestuan në Tiranë në emër të transparencës së votës së tyre, por sërish, qeveria nuk pati vesh për të dëgjuar kërkesat e tyre demokratike, - thonë ata në letër. Ndërkohë, ata pretendojnë se shumë miq ndërkombëtarë kanë besuar sipas tyre gënjeshtrën e Kryeministrit për vendimin e gjykatës që e ndalon hapjen e kutive. Kryeministri Berisha flet për një vendim gjykate që pengon transparencën, por përgjatë dhjetë muajve të fundit ai nuk ka arritur kurrë ta bëjë publik këtë vendim për arsyen e thjeshtë se ky vendim nuk ekziston. Ne jemi gjithashtu të shqetësuar se kjo gënjeshtër e Sali Berishës, e ndërtuar në formën e një alibie për të penguar transparencën e zgjedhjeve, fatkeqësisht është besuar edhe nga një pjesë e miqve dhe partnerëve të Shqipërisë, - thuhet në letrën e socialistëve.