E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vatikani i shokuar nga pedofili i BBC-së

Selia e shenjtë e Vatikanit ka reaguar në lidhje me skandalin e pedofilisë, ku është përfshirë ish-prezantuesi i BBC, Jimmy Savile.

Në një prononcim për BBC, një zëdhënës i Vatikanit ka deklaruar se prezantuesit nuk duhet t’i ishte dhënë titulli i Kalorësisë Papnore. Kreu i Kishës Katolike në Angli dhe Wels konfirmoi se i ka shkruar Atit të Shenjtë për t’i kërkuar nëse ky titull mund të tërhiqet.

Arqipeshkvi i Westminister, Vincent Nichols, bëri thirrje për një hetim duke shprehur shqetësimin e tij të thellë për viktimat e veprimeve të Savile.

Savile, i cili ka prezantuar programin e njohur muzikor Top of the Pops, mund të ketë abuzuar me rreth 300 persona dhe e mori titullin në fjalë në vitin 1990.

Ndërkohë, një deklaratë e publikuar nga nipi i tij, Roger Foster, thotë se familja është e dëshpëruar dhe e trishtuar për zbulimet dhe se është në pritje të rrjedhës së ngjarjeve.

Savile ishte shpallur Komandant Kalorsiak nga Papa Gjon Pali II për bamirësinë e tij, që është një nga vlerësimet më të mëdha që Papa mund të bëjë.

Duke folur për BBC, zëdhënësi i Vatikanit, at Federico Lombardi deklaroi se, “Ati i Shenjtë dënon pa rezerva krimet e tmerrshme seksuale ndaj të miturve dhe i konsideron faktet e zbuluara mbi Savile shumë të rënda”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›