E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri ditë, tri dimensione artistike të poetit Janis Ricos



Për tri ditë me radhë, 2, 3, dhe 4 dhjetor, përkatësisht në QKF Armatosura, në Akademinë e Arteve si dhe në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, u nderua poeti universal i Romiosinit, Janis Ricos, si poet lirik, si krijues i arteve pamore dhe si autor vargjesh këngësh greke të mirënjohura.

Në tërësi këto manifestime treditore të këtij aktiviteti të rëndësishëm, në kuadrin e 100-vjetorit të lindjes së këtij poeti të madh, i ndoqën me interes të veçantë rreth 1.000 spektatorë, kryesisht studentë, nxënës, pedagogë, njerëz të artit dhe të letrave, dashamirës të artit dhe të kulturës dhe shumë personalitete të shquara të jetës publike.

Aktivitetet e zhvilluara në institucionet më të rëndësishme artistike dhe kulturore të kryeqytetit kishin karakter të larmishëm, si referime dhe analiza të studiuesve të ndryshëm për veprën e pasur dhe cilësore poetike si dhe origjinalitetin e veprës figurative të Ricosit, poet e piktor universal njëkohësisht. Në këto aktivitete u realizuan e u transmetuan paraqitje interesante audio-vizive, recitime poezish nga studentë të Universitetit të Tiranës dhe nga nxënës të shkollës “Arsakio”, konkurs mes studentëve të ateliesë multimediale të drejtuar nga prof. as. V. Myrtezai, të cilët realizuan vepra të frymëzuara nga krijimtaria poetike dhe pamore e Ricosit; u organizua një udhëtim pedagogjik në qytetin e Shkodrës; u botua një përmbledhje me poezi të Jani Ricos në greqisht dhe në shqip; nga kuarteti “Promus” u interpretua muzikë nga kompozitori i njohur Mikis Teodorakis, e frymëzuar kjo muzikë nga vepra e Ricosit; u interpretua për herë të parë në Shqipëri cikli i këngëve greke “Epitaf” me pjesëmarrjen e Korit dhe Orkestrës Simfonike të TKOB-së; u realizua një botim elegant me krijimet e studentëve pjesëmarrës në konkursin e ateliesë multimediale të V. Myrtezait, ku u përfshinë dhe disa nga punimet e piktorit dhe skulptorit Gavril Priftuli. Me këto veprimtari ne u siguruam që publiku artdashës i Tiranës mësoi shumë për vlerën poetike, për talentin shumëplanësh dhe për jehonën shpirtërore që ka vepra e Ricos sa tek populli shqiptar, aq edhe tek bota moderne. Aktiviteti artistik e kulturor treditor u realizua me pjesëmarrjen e aktoreve Margarita Xhepa dhe Ema Andrea, pedagogëve të universitetit publik dhe studiues, referues si Aristotel Spiro, Mario Mihailidhis, Vladimir Myrtezai, Naxhi Bakalli, Sokol Cuga; njerëz të letrave; botues dhe përkthyes si Llambro Ruci, Irena Toçi, Christos Aposolopoulos (këshilltar i zyrës së shtypit të ambasadës greke në Tiranë), etj., muzikantë, si dirigjenti Edmond Doko, sopranoja Vasia Zaharopoulou (Gr), violinistja Suela Piciri, piktori Naxhi Bakalli etj. Organizimi dhe realizimi skenik ishte nën përgjegjësinë e regjisorit Mikel Kalemi dhe të drejtorit të Fondacionit Grek të Kulturës, z. Jorgos Jakumis. Përgjegjësinë bashkorganizuese e morën përsipër dhe e mbështetën Akademia e Arteve dhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Programimin dhe promovimin e gjithë veprimtarive që u permendën më lart, e morën përsipër Fondacioni Grek i Kulturës dhe ambasada e Greqisë në Tiranë. Në tërësi, në këto veprimtari morën pjesë, gjithashtu, 120 artistë interpretë, të cilët i përshëndeti me fjalë të ngrohta muzikanti dhe kompozitori i njohur grek, Mikis Teodorakis, përmes një mesazhi shumë mbresëlënës, i cili u lexua para rreth 400 njerëzve të pranishëm në mbrëmjen e së premtes, para ekzekutimit të ciklit të këngëve greke “Epitaf”. Gjithashtu, ambasadori i Greqisë në Tiranë, z. Nikolaos Pazios, falënderoi artistët shqiptarë. Përshëndetën dhe presidenti i Fondacionit Grek të Kulturës, prof. Jorgos Babiniotis, vajza e poetit Janis Ricos, Eri, mesazhin e të cilës e lexoi drejtoresha e shtëpisë botuese “Toena”, znj. Irena Toçi. Në paraqitjet mbresëlënëse nderuese të këtyre tri ditëve artistike u përfshinë edhe drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, R. Shima, shkrimtari dhe bizantologu, Y. Drishti, artisti Maks Velo, përfaqësuesi i Kryepeshkopit Anastasios Janullatos, arkimandriti Justinos, profesorë universitarë, z. Sinani, znj. Strazimiri, artistë, muzikantë, aktorë, njerëz të letrave, profesori Neritan Ceka, deputetët Vangjel Dule dhe Fatmir Toçi, këshilltari i parë i ambasadës Greke në Tiranë, z. Aleksis Zhano etj.

Vlera të veçanta kishte projekti që u realizua në Akademinë e Arteve, nën kujdesin e prof. Vladimir Myrtezait, si dhe konkursi që u organizua ndërmjet studentëve të Akademisë së Arteve për krijime multimediale, konkurs që kulmoi me ndarjen në galerinë FAP të tri çmimeve fituese për krijimet më të mira.

Gjithashtu, shumë mbresëlënës e kulmor ishte ekzekutimi për herë të parë ndërkombëtar simfonik i ciklit të këngëve “Epitaf” të Mikis Teodorakis nga një grup i madh muzikantësh të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, të përbërë nga rreth 100 koristë e instrumentistë dhe nën drejtimin e dirigjentit Edmond Doko.

Të gjitha këto ngjarje artistike të tri ditëve nuk do të ishin realizuar nëse nuk do të ishte sponsorizimi i organizmave dhe kompanive të ndryshme, si Alpha Bank, drejtori i së cilës, z. Andrea Galatoulas, përqafoi me shumë ndjeshmëri këto veprimtari; kompania e telefonisë celulare AMC, drejtori i së cilës, z. Oktapodas, na përkrahu dhe na mbështeti bujarisht, shtëpia botuese “Toena”, e cila më dy dhjetor nxori në qarkullim botimin e ri të Ricos me titull “Shtëpia e vdekur”, me përkthim të poetit të njohur Niko Kacalidha, Infosoft Grup, që sponsorizoi çmimet e konkursit të ateliesë multimediale të Akademisë së Arteve, botimet “Elikranon” të Sarandës, kompania Eco Petroplium me drejtor z. Karahalios që ndihmoi në sigurimin e çmimeve për studentët e Akademisë së Arteve, Universiteti New York i Tiranës që sponsorizoi botimin e katalogut të veprave nën kujdesin e prof. as. V. Myrtezai etj.

Te gjithë këta sponsorë, në mënyrë të përsëritur i falënderoi ambasada e Greqisë në Tiranë si dhe Fondacioni Grek i Kulturës në Tiranë, përgjatë gjithë veprimtarive treditore.

Është fakt që të tilla veprimtari kulturore nuk do të mund të realizoheshin me sukses, nëse nuk do të ekzistonin drejtues të frymëzuar të bizneseve dhe kompanive, bankave, organizmave, të cilët me dashurinë e tyre konkrete për kulturën ofrojnë mundësinë e paraqitjes së të mirave kulturore që populli dëshiron të shijojë dhe që në praktikë i shijon ato falë këtyre njerëzve të njohur dhe me vlera, disa prej të cilëve i përmendëm më lart.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›