E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë hetimet për rrëzimin e aeroplanit të Kaczynskit

Vazhdon hetimi mbi aksidentin e aeroplanit, në të cilin humbën jetën 96 persona, në mesin e të cilëve dhe presidenti polak Lech Kaczynski.

Kryeprokuroria polake po punon në katër skenarë të mundshëm, mbi mënyrën se si mund të jetë rrëzuar aeroplani, në të cilin udhëtonte edhe presidenti polak, gjatë uljes në aeroportin ushtarak të Smolenskut në Rusi.

Në bazë të informacionit që jepet në faqen e kryeprokurorisë, gabimi teknik, gabimi në drejtim, kushtet e vështira atmosferike dhe mungesa e sigurisë së fluturimit janë tre skenarët e parë mbi të cilët po punohet.

Kryeprokuroria polake po shqyrton dhe alternativat e ndonjë sulmi të mundshëm terrorist ose të ndonjë trysnie mbi pilotin.

Sipas hetimeve të kryera në vendin e ngjarjes u njoftua se aeroplani i prodhimit rus Tu-154 nuk ka pasur asnjë problem teknik.

Ndërsa sipas hetimeve në kullën e kontrollit, mësohet se piloti ishte i vendosur për të bërë uljen e aeroplanit, përkundër faktit se kushtet atmosferike ishin të papërshtatshme.

Sipas shpjegimeve të mëparshme të kryeprokurorit polak, Andrej Seremet, kuptohet se piloti mund te mos ketë marrë parasysh kushtet e këqija atmosferike pas ngulmimit të presidentit për të kryer uljen në aeroport.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›