E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni, lufta brenda llojit rrezikon jetëgjatësinë e qeverisë

Itali Grindja e madhe me aleatin Fini mund të sjellë në axhendë zgjedhjet e parakohshme

Kryeministri Berluskoni po përballet me telashe të reja, tashmë brenda koalicionit të tij qeveritar, disa ditë pas një grindjeje publike me aleatin e tij kryesor që e ka minuar kompaktësinë e qeverisë. Një ministër i kabinetit u përball me thirrje për dorëheqje, pasi u implikua në një çështje gjyqësore dhe një tjetër anëtar i partisë braktisi një detyrë të rëndësishme në Parlament, duke e akuzuar Berluskonin se po kërkonte që t’u mbyllte gojën zërave kundër. E ndërsa stabiliteti i qeverisë së Berluskonit nuk është në rrezik të menjëhershëm, lufta tashmë brenda llojit ka përshkallëzuar kontradiktat dhe ka risjellë në vëmendje mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në vitin 2011, të cilat do të ishin dy vjet para atyre të rregullta. “Partia e shumicës, pra ajo që ka pushtetin, jeton në klimën e një dyshimi mes palëve. Kjo dhe probleme të tjera bëjnë që në një të ardhme ndoshta jo aq të largët të ketë zgjedhje të parakohshme në vend”, ka bërë të ditur një analist politik italian. Ministri i Industrisë, Claudio Scajola, u përball me thirrje për dorëheqje pas lajmit që doli të premten, se emri i tij ishte përfshirë në një hetim të gjerë të ndërmarrë ndaj një biznesmeni roman. Sipas prokurorëve, ministri ka fshehur raportimin e çmimit të saktë të një apartamenti që e kishte blerë në afërsi të Coloseumit me ndihmën e biznesmenit. Ministri vetë i ka mohuar të gjitha akuzat dhe është përkrahur nga të gjithë anëtarët e tjerë të qeverisë. Por dëmin më të madh Berluskonit po ia shkakton grindja e vazhdueshme me aleatin e tij, Fini. Mes të dyve ka ca kohë që situata nuk është e mirë. Ata patën një debat të ashpër në publik pak ditë më parë, madje debati ishte aq i ashpër sa palët i treguan gishtin njëra-tjetrës dhe bënë edhe kërcënime gjithashtu në publik. Në qendër të grindjes janë pretendimet e Finit se Berluskoni është shumë më i prirur që të dëgjojë aleatët e Lidhjes së Veriut se sa atë që është një nga bashkëthemeluesit e partisë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›