Vazhdojnë zjarret në Mirditë, shpërthejnë municionet luftarake
MIRDITË - Përhapja pandalshëm e zjarreve të rënë në pyjet e Rubikut që prej një jave, ka bërë që sot të dëgjohen shpërthime të fuqishme duke vënë në rrezik jetën e atyre që po merren me izolimin e flakëve.
Kështu që në orët e para të mëngjesit ndërsa forcat xheniere të ushtrisë dhe ata të shërbimit pyjor, po merreshin me krijimin e pengesave për flakët e zjarrit, janë gjendur përballë shpërthimeve të fuqishme të municioneve luftarake. Lëndët plasëse kanë qenë të vendosura afër dy ndërtesave të abandonuara prej vitesh, 4 km larg qytetit të Rubikut, pikërisht në pyjet të cilat tashmë janë përfshirë nga flakët. Zjarri pasi ka përshkuar masivin pyjor i është afruar shtëpive duke përshkuar gjtihcka që nga kopshtet, pemët e atyshme e deri vetë shtëpitë, por pikërisht në këtë moment zjarri me sa duket ka aktivizuar municionet luftarake të vëna aty prej vitesh.
Sipas dëshmitarëve okularë, pos shpërthimeve të vogla që tregonin për municion të kalibrit të vogël, në momente të caktuara,ka patur dhe shpërthime të fuqishme, cka lën të kuptohet se aty ka patur dhe municion të kalibrit të lartë,si fishekë armatimi të rëndë apo lëndë të tjera shpërthyese.
Duke qenë shtëpi të abandonuara prej vitesh, ky vend i fshehur mes pyjesh me sa duket ka shërbyer si një vend ideal për të fshehur municione të shumta që nga viti 1997, dhe vetëm zjarri i rënë e ka zbuluar këtë bazë militare.
Shpërthimi i municionit të shumtë i ka dhënë hov zjarrit të rënë por dhe ka rrezikuar jetën e ushtarëve të xhenios që po punonin aty, ndaj është bërë tërheqje nga ato pozicione, pasi nga burime jozyrtare, bëhet fjalë se zona mund të ketë municione të shumta. Kjo ka bërë që policia të kërkojë persona që mund të jenë marrë me këto dërgesa lëndësh luftarake, dhe bëhet fjalë edhe për të shoqëruar që po merren në pyetje. Bëhet e ditur se është njoftuar dhe ministri i Brendshëm Bujar Nishani të cilit i është bërë kërkesë për një hetim special për këto zjarrvënie zingjir që po ndodhin në pyjet e Mirditës, ndërsa është lajmëruar një takim i strukturave të larta policore për ditën e nesërme.
Gjithashtu policia vendore ka shoqëruar dhe persona me dyshimin se kanë gisht në vënien e qëllimshme të zjarrit. Dyshimi shtohet akoma më tepër pasi gjithnjë po shihen vatra të reja të vëna sapo një zonë vihet nën kontroll përgjatë gjithë kurrizit malor Kulme-Derven e më tej për në Lurth e malet e Rubikut, por dhe në disa zona të tjera dushkore. Kjo,sipas drejtuesve të pushtetit vendor në Mirditë, e bën më imediate ndërhyrjen policore në hetimin e kësaj zjarrvënie të pazakontë që po ngjet në pyjet e Mirditës,zjarre që e kanë futur në një rreth flakësh të pamëshirshme zonën qendrore të saj.
Mirditë, tre vatra zjarri djegin qindra hektarë
dt. 8 shtator
MIRDITË - Zjarrit të fuqishëm të rënë prej disa ditësh në masivin pyjor të Rubikut, sot i janë shtuar edhe dy zjarre të tjerë, një në pyjet e Lurthit dhe një tjetër në zonën e Kulmes, aty ku gjenden dhe masivet pyjore dushkore më të mëdhatë në Mirditë. Këto përbëjnë dhe kurorat e mëdha të dy qyteteve kryesore të kësaj krahine, Rrësheni dhe Rubiku.
Prej katër ditësh dhjetëra hektarë me pyje janë shkrumbuar të tëra dhe zjarri vazhdon edhe pse në shuarjen e tij janë përfshirë mbi 200 forca të shërbimit pyjor, forca të xhenios së ushtrisë dhe policisë, si dhe nga zonat afër këtyre vatrave. Po ashtu po punojnë dhe traktorë për hapje kanalesh për të izoluar zjarret, por gjë e pamundur pasi erërat e forta i kapërcejnë pengesat duke përhapur zjarrin në vatra të reja.
Si te mos mjaftonte zjarri në zonën e Rubikut, sot dy zjarre të fuqishme ranë në pyjet e Lurthit dhe atë të Kulmes, me tendencë përhapje të shpejtë duke rrezikuar një përhapje në shkallë të gjerë në tërë kurrizin malor të Kulme-Dervenit e më tej për t'u lidhur me zjarrin e rënë në zonën e Rubikut, duke përfshirë qindra hektarë pyje.
Drejtues të bashkisë Rrëshen u shprehën sot se po bëjnë të pamundurën për ta mbajtur zjarrin nën kontroll, por është krejt e pamundur nga përhapja e tij përmes erërave të forta. Këto zjarre duke u ul poshtë rrezikojnë të kapin shtëpitë e disa fshatrave, dhe ato të një fshati afër qytetit të Rrëshenit, ndaj apelohet për një ndërhyrje energjike nga emergjencat civile.
Edhe pse është kërkuar ndihmë për ndërhyrje nga ajri, deri më tash nuk është bërë e mundur kjo gjë, ndërsa ndërhyrja efikase me forca tokësore e ka të pamundur izolimin e zjarreve, madje dhe po i rrezikon njerëzit. Autoritetet vendore bëjnë apel për një ndërhyrje të shpejtë nga qeveria, para se të ketë dëmtime serioze edhe në banesa, ndërsa për pyje thuajse në gjysmën e Mirditës, nëse vazhdohet me këtë vrull, nuk do të ketë më.