Bulqizë, rrëzohet autobusi me 16 pasagjerë
BULQIZË - Një autobus i linjës Durrës-Peshkopi, është rrëzuar në dalje të qytetit të Bulqizës duke pësuar rrokullisje, por për fat nuk ka pasur viktima. Sipas burimeve policore, autobusi me targa DR 7869 D, i cili kryente çdo ditë rrugëtimin nga Durrësi në Peshkopi e kthim, ka dalë nga rruga në afërsi të Bulqizës, duke u përmbysur me 16 pasagjerë brenda, ngjarje kjo e ndodhur afër orës 14.00 të ditës së sotme.
Gjithnjë sipas pohimeve të para policore, shkak ka qenë parakalimi i një fuoristrade në një vend të ngushtë, që e ka detyruar autobusin të devijonte rrugën dukë rënë poshtë saj me 16 pasagjerët që kishte brenda.
Por nga kjo rënie, ka pasur vetëm të plagosur të cilët janë dërguar menjëherë në spitalin e Bulqizës, pa qenë në rrezik për jetën. Edhe fuoristrada që drejtohej nga N.Gjini ka rënë në kanalin anash rrugës por pa dëme në njerëz. Ndërkohë që policia ka shoqëruar drejtuesin e këtij mjeti, dhe po heton rreth shkakut të vërtetë të këtij aksidenti.