E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon Calciopoli!

Skandalet në futbollin italian s’kanë të ndalur. Kreu i policisë italiane, Antonio Manganelli ka njoftuar se kapitulli i bastvënieve në Itali nuk është një çështje e mbyllur. Ai paralajmëroi raste tjera të kurdisjeve në futbollin italian, ndoshta edhe më të rënda se ato që janë parë deri tash. Policia italiane është duke kryer hetime dhe shumë shpejt pritet të veprojë.

Skandalet në futbollin italian, kryesisht mbi bastvëniet e paligjshme, nuk kanë të sosur.

Kreu i policisë italiane, Antonio Manganelli refuzoi të përmendë emra, por deklaroi se policia ka në dorë një dosje të re, edhe më të bujshme se sa skandali që përfshiu disa lojtarë të Serie A dhe B, bashkë me Antonio Conten, në kohën kur ky i fundit drejtonte Sienën.

“Hetimet mbi bastvëniet e paligjshme nxorën në dritë disa sjellje dhe veprime anti-ligjore që e çuan policinë në gjurmët e një sistemi të tërë të jashtëligjshëm në futboll. Kjo nuk ka mbaruar këtu. Të tjera prova do të dalin që mund të çojnë në një skandal akoma më të madh se ai i bastvënieve”, tha Manganelli.

Ai ka shtuar se, në krahasim me vitet e tetëdhjeta, sot është bërë më i thjeshtë organizimi kriminal që të kyçet në botën e futbollit.

“Nuk po flas për lojën e trukuar, por për një mënyrë tjetër, e cila ka filluar të interpretohet viteve të fundit. Nuk kurdiset vetëm rezultati final i lojës, ku përfshihen të dyja skuadrat, ose njëra, por praktikisht gjithçka: se kush do ta largojë i pari topin nga fusha, kush do ta godasë i pari rivënien fundore, kush do të godasë i pari me kokë etj etj. Këto ofrojnë mundësi ideale për të fituar shumë para”, ka shtuar Manganelli.

Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit të Federatës së Futbollit të Italisë, Giancarlo Abete, i cili thotë se është herët të jepen gjykime, pasi që fillimisht duhet të shikohet materiali dhe akuzat për të cilat bëhet fjalë.

Lidhur me skandalin e basteve dhe zhvillimet e fundit që vijnë nga prokuroria e Barit ka komentuar edhe mbrojtësi Giorgio Chiellini, i grumbulluar së bashku me të tjerët në Kombëtaren italiane në përgatitjet për ndeshjen kundër Armenisë.

Mbrojtësi bardhezi komentoi zërat për përfshirjen e Andrea Ranocchias në skandalin e fundit duke deklaruar se duhet pritur vendimi i drejtësisë sportive, e më pas të flitet për këtë.

Ranocchia dyshohet për pjesëmarrje (ashtu si e gjithë skuadra e Barit) në trukimin e ndeshjes Salernitana-Bari (3-2) dhe Bari-Treviso (0-1), e para e luajtur në maj të 2009-ës ndërsa e dyta në maj të 2008-ës.

Praktikisht, Bari dyshohet se ka trukuar pjesën më të madhe të takimeve në këto dy sezone.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›