Dëshirat e Shaqirit

Xherdan Shaqiri e ka festuar të mërkurën ditëlindjen e 21-të, së bashku me kolegët nga përfaqësuesja e Zvicrës. Mesfushori kosovar njëherësh i ka treguar dëshirat e tij për të ardhmen, në ditën e veçantë të tij. Atij i ishte sjell një tortë, e cila e befasoi tej mase.
“Kjo është torta më e mirë që e kam parë ndonjëherë”, ka thënë fillimisht futbollisti kosovar për magazinën zvicerane Blick. Sa i përket dhuratës më të mirë që ka marrë ndonjëherë për ditëlindje, ai tregoi se atë e ka marrë nga ish futbollisti brazilian, Ronaldo.
Ndërkohë, futbollisti gjilanas foli edhe për eksperiencën në Bayern Munich, ku po kalon momente mjaft të mira. Pasi dhuroi disa asistime, ai e ka treguar objektivin e radhës në ekipin Bavarez. “Pas asistimeve, po pres që ta shënoj një gol më në fund”, shtoi ai.
“Unë nuk e ndiej veten si super yll. Natyrisht, Bayerni është vërtet një klub i madh, është krejt ndryshe këtu. Mediat zvicerane më shohin si një yll. Por, për momentin në Bayern janë yje lojtarët si Ribery, Robben, Gomez etj”, vijoi Shaqiri, i cili për shkak të angazhimeve, nuk ka mundur ta festojë ditëlindjen në shtëpi që nga viti 2010.
Futbollisti i krahut, i cili gjatë verës që shkoi thotë se ndau deri në 4 mijë autografe në ditë, ndihet i kënaqur me minutazhin që po ia jep trajneri Jup Heynckes.
“E shpresoja këtë. Jam mjaft i angazhuar për momentin dhe po e shijoj çdo moment këtu”, tha Shaqiri. ‘Brazili 2014’ është objektivi i radhës për Zvicrën. 21 vjeçari shpreson në një rezultat pozitiv ndaj Norvegjisë, i cili do t’ia shtonte edhe më tej gjasat për kualifikim në Botëror.
“Do të luajmë në shtëpi, i duam të tria pikët. Dhe me nëntë pikë nga tri ndeshje, do të ishte një rezultat vërtetë i mirë. Mirëpo, nuk duhet t’i nënvlerësojmë norvegjezët, sepse janë favoritë të grupit, edhe pse e kanë humbur ndeshjen me Islandën”, përfundoi Shaqiri.
Norvegjezët frikësohen nga Shaqiri e Xhaka
Norvegjezët kanë filluar të frikësohen, para sfidës me Zvicrën, që zhvillohet të premten, e vlefshme për kualifikimet në Botërorin 2014. Gazetari i televizionit TV2, Lars Sivertsen mbi të gjitha i ka përmendur dy futbollistët kosovarë Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, nga të cilët mendon se vjen rreziku më i madh për ekipin skandinav.
“Bëhet fjalë për një skuadër mjaft të mirë, me disa lojtarë interesantë. Shaqiri dhe Xhaka janë dy prej lojtarëve më premtues në Evropë. Duhet pasur kujdes shumë nga ta. Po ashtu, një fakt interesant është se gjashtë lojtarë zviceranë luajnë në Serie A dhe shtatë në Bundesliga”, theksoi Sivertsen.
Përpos Shaqirit e Xhakës, në përfaqësuesen e Zvicrës luajnë edhe futbollistët tjerë shqiptarë: Valon Behrami, Blerim Xhemajli dhe Admir Mehmedi.