Vazhdon dhuna e karteleve të drogës në Meksikë

Zbulimi i 49 trupave me kokë e duar të prera në një rrugë automobilistike pranë qytetit të Monterreit, në shtetin verior Nuevo Leon të Meksikës ditën e dielë, ka kthyer edhe një herë vëmendjen tek lufta e ashpër e drogës, e cila ka marrë më shumë se 50 mijë jetë njerëzish në vendin e Amerikës Latine gjatë 6 viteve të kaluara.
Pak kohë përpara gjetjes së këtyre trupave në Monterrei, dhjetëra të tjerë u gjetën në qytetin kufitar të Nuevo Laredos, si dhe në qytetin e Guadalajaras. Votuesit meksikanë do të kërkojnë përfundimin e dhunës, me votën që do të hedhin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit më 1 korrik.
Në Nuevo Leon, autoritet po hetojnë masakrën e tmerrshme ndaj 43 burrave dhe 6 grave, identifikimi i të cilëve ishte i vështirë të bëhej, deklaroi zëdhënësi për siguri, Jorge Domene. Trupat ishin pa kokë dhe ishin aq të gjymtuar, sa që ekspertët mjeko-ligjorë ndoshta nuk do të jenë në gjendje t’i identifikojnë, tha zëdhënësi.
Ai tha se shenjat e lëna pranë trupave tregojnë se kjo vrasje masive duhet të jetë kryer nga Los Zetas.