Vazhdon ngjyrosja e NEW BORN-it

Ngjyrosja e obeliskut të Pavarësisë NEW BORN është afër përfundimit. Ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit dhe pas një pune të palodhshme të qytetarëve të shumtë, ajo po merr pamjen finale.
Gjatë gjithë ditës aktivistë të shumtë kanë ndihmuar në ngjyrosjen e NEW BORN-it. Punimet janë duke vazhduar edhe në këto orë të mbrëmjes dhe shihet një përkushtim i madh i atyre që po punojnë për ta përfunduar sa më shpejtë ngjyrosjen.
Ndërkohë, ideatori i kësaj ngjyrosjeje, njëherësh ideatori dhe realizuesi i obeliskut, Fisnik Ismaili ka kërkuar përmes Facebook-ut të tij përkrahës tjerë për ta finalizuar projketin.
“SHTYTJA E FUNDIT
I dashur mik e përkrahës, NEW BORN ka marrë pamje të bukur edhe është gati të përfundohet. Por, për që të kryhet deri në fund, po na duhet vetëm edhe pak ndihma e jote:
Shumë vullnetarë janë paraqitur edhe kanë ngjyrosur tërë ditën. Ka mbetë edhe një pjesë pa u përfunduar, dhe të gjithë jemi lodhë. Prandaj, po të lusim, nëse e keni dorën e mirë e të mprehtë, me ardhë sonte me na dhanë ndihmë me ngjyrosjen, deri ta përfundojmë punën. Kemi reflektorë, ngjyra, muzikë, shoqëri edhe pak mot të ftohtë, jo shumë”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
Ndërkaq, projekti përmbyllet me ngjyrosjen e 98 flamujve të shteteve që e kanë njohur Republikën e Kosovës. /Indeksonline/