Vazhdon procesi gjyqësor për Rastin Medikus

Para një trupi gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës, mbrojtja e të akuzuarëve në procesin gjyqësor për rastin Medikus, është duke paraqitur fjalën përfundimtare të saj. Seanca po mbahet në ndërtesën e Gjykatës së Apelit, ndërsa ajo pritet të vazhdojë edhe gjatë javës së ardhshme.
Para trupit gjykues të rastit “Medicus” pala mbrojtëse e gjashtë të pandehurve kanë nisur paraqitjen e fjalës përfundimtare, transmton rtk. Avokati Ahmet Ahmeti, mbrojtës i Islam Bytyqit, anesteziolog i cili akuzohet për veprën penale Ushtrim i Kundërligjshëm i Veprimtarisë Mjekësore, tha se akuza ndaj klientit të tij, në tërësi është e paqëndrueshme, kundërthënëse dhe jo reale.
Ai shtoi se “Islam Bytyqi ka ushtruar gjithmonë detyrën e asistentit të anesteziologut dhe në asnjë moment nuk ka qenë i përfshirë në ndonjë aktivitet inkriminues që do të kishte për qëllim edhe heqjen e organeve dhe transplantimin e tyre. Asnjëherë ai nuk ka pasur kontakt fizik për te ju shkaktuar lëndime trupore viktimave për të cilat pretendon Prokurori Publik”.
Ahmeti tha se i akuzuari i tij nuk mund të gjendet fajtor prandaj propozoi që të nxirret aktgjykimi lirues ndaj tij.
Në seancën e sotme fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe mbrojtja e Ilir Rrecajt, i cili akuzohet për Falsifikim i Dokumenteve dhe Shpërdorim i Detyrës Zyrtare apo Autorizimit. Avokati, Florin Vertopi gjatë fjalës së tij pretendoi se përfshirja e Ilir Rrecajt në këtë proces është e pakuptimtë meqë edhe nga dëshmitarët është kuptuar se ai s’la lidhje me këtë gjykim.
“Akuza pretendon se letra e lëshuar nga Ilir Rrecaj ka tentuar të mbuloj klinikën “Medicus”. Letra e Rrecajt nuk është licencë e klinikës, ndërkaq prokurori qëndron prapa akuzës gjë që nuk është e drejtë” tha avokati Vertopi.
Seanca vazhdoi me fjalën përfundimtare të Lin Slatingen, avokatit mbrojtës të të pandehurit Lutfi Dervishi./Indeksonline/