E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë hapi fals! Skënderbeu dhe Tirana, i lëshojnë terren vlonjatëve

SHKRUAN: Jeton Selimi 07-02-2011 10:54

Era po fryn e mbarë për velat e “anijes” vlonjate të drejtuar nga Gugash Magani. “Timonieri” peqinas po arrin të marrë maksimumin nga ndeshja në ndeshje, diçka që nuk po arrijnë ta bëjnë dot ndjekësit. Dhe sot, ditë e hënë, Flamurtari bën llogaritë e fundjavës futbollistike. 7 pikë larg Skënderbeut të vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe 14 javë deri në përfundim, duhet të jenë një distancë lehtësisht e menaxhueshme për Flamurtarin, sidomos po të kemi parasysh ritmin e vlonjatëve në këtë sezon. Megjithatë, matematikisht, kuqezinjtë janë shumë larg titullit, ndaj duhet të bëjnë kujdes që mos humbasin shumë terren me të ashtuquajturat sfidat lehtësisht të fitueshme.

Por ç’ndodhi dje me ndjekësit e Flamurtarit? Tirana e Skënderbeu nuk arrijnë të marrin maksimumin nga përballjet e tyre. Bardheblutë kanë luajtur kundër një Bese të motivuar, që edhe pse me 9 lojtarë në fushën e lojës, ka arritur të marrë një pikë në “Selman Stërmasi”. Paraqitje heroike ajo e skuadrës së Gert Haxhiut, që nuk i lëshon aspak terren 24 herë kampionëve, ndonëse luan pa kapitenin Poçi në minutën e 59-të dhe më pas pa Lazarevskin (72’). Të dy kartonat e kuq u dhanë si pasojë e të verdhës së dytë, në të dy rastet për të njëjtën arsye: prekje e vullnetshme e topit me dorë! Ndërsa më pas, edhe kryeqytetasit do të bëheshin pré e nervozizmit, duke u ndëshkuar gjithashtu me dy kartona të kuq (Tefik Osmani dhe Sabien Lilaj) nga gjyqtari Emirjon Sino.

Por si nisi sfida e kryeqytetit! Trajneri Dede vendos të lërë në stol Hykën e Likën, ndërsa vetëm Bala është hedhur në fushë që nga minuta e parë. Shkodrani e bën repartin me të riun Morina. Mesfusha dhe mbrojtja janë përbërë nga emrat e zakonshëm. Nga ana tjetër, trajneri Haxhiu kishte rreshtuar në fushën e lojës formacionin më të mirë të mundshëm, ku sulmi përbëhej nga Dos Santos, Sefa e Mancaku, gjithçka në kërkim të golit. Megjithatë, pjesa e parë nuk do të dhurojë raste të pastra për shënim, por aksione të rrëmujshme dhe me mungesë finalizimi. Haxhiu detyrohet të heqë shpejt dorë nga Sefa, që dëmtohet (26’). 45 minutat e para përfundojnë me një mësymje të bardhebluve, por pa rrezikuar konkretisht. Dede e nis pjesën e dytë duke aktivizuar Hykën, për më shumë shpejtësi dhe kreativitet, por rastin e vërtetë dhe të vetëm për shënim do ta krijojnë miqtë nga Kavaja. Dos Santos zbret bukur në të majtë, shmang dy mbrojtës të Tiranës, pason në hyrje të zonës dhe goditja e bukur e Mihanit grushtohet mrekullisht nga Lika. Më pas nuk ka më lojë konkrete, teksa fillon edhe festivali i kartonave të kuq (Poçi kishte dalë më parë). Përfundimisht, të dyja ekipet ndajnë nga një pikë, që më shumë punë i bën Besës sesa Tiranës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›