Vdekja e Bin Laden kthen vëmendjen tek Ratko Mlladiç
Deri më tani Serbia ishte justifikuar për moskapjen e të kërkuarit për krime lufte, Ratko Mlladiç, duke thënë se as fuqia më e madhe në botë nuk po kap Osama Bin Laden. Por tani vdekja e Osama Bin Laden rrëzon poshtë edhe këtë justifikim të serbëve. Kështu thotë një ekspert ushtarak për agjencinë e lajmeve Balkan Insight.
Ljubodrag Stojadinoviç, një analist ushtarak, thotë se tani na rezulton se Mlladiç na u fshihka më mirë se Bin Laden.
Ai beson se rrjeti që ndihmon Mlladiç nuk është më i madh se ai i Bin Laden e për më tepër, ata nuk janë dhe aq fanatikë për mbrojtjen e tij.
Sipas tij, Mlladiç është i lirë për shkak se merr informacione nga ato qarqe që mendohet se duhet ta arrestojnë. Sipas tij, shërbimet e sigurisë në Serbi janë qartësisht më të forta se shteti serb.
Mlladiç kërkohet për masakrën mbi 8 mijë boshnjakë në Srebrenicë mes shumë krimeve të tjera.