E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Havel, Topi ngushëllon homologun çek

Kreu i shtetit Bamir Topi ka ngushëlluar homologun e tij çek Vaslav Klaus për humbjen e ish-presidentit të parë postkomunist Vaslav Havel.
 

Në mesazhin e tij presidenti Topi ka theksuar se emri i shkrimtarit disident dhe politikanit Havel do të mbetet jo vetëm në kujtesën e popullit çek, por edhe të historisë botërore si modeli i një lidershipi vizionar, të moderuar dhe të aftë të ndryshojë sisteme të ngurta.
 

“Me një imazh të tillë, Vaslav Haveli do të kujtohet gjithnjë dhe nga shqiptarët, një popull, i cili ka dalë nga izolimi më i thellë dhe dramatik në Evropën Lindore, por që sot po ndërton dhe konsolidon demokracinë dhe aspiron integrimin në familjen e madhe evropiane” thekson presidenti Topi.

Ish-presidenti çek Vaclav Havel ndërroi jetë dje në moshën 75-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.Laureati i çmimit Nobel për Paqe, dhe heroi i Revolucionit të Kadifenjtë, që i dha shtetit pavarësinë në vitin 1989, ka shërbyer si president nga viti 1989 deri më 2003. Pas dhënies së lajmit për ndarjen nga jeta të Havel, zëdhënësja e tij Sabina Tançenova tha se kishte vdekur ndërsa ishte në gjumë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›